Me kampionatin për t’u vendosur në javën e fundit, Paris Saint Germain ia del të fitojë Kupën e Francës, pasi mposhti Monacon me rezultatin 0-2 në finalen e zhvilluar në “Stade de France” të kryeqytetit.
Skuadra e drejtuar nga Maurizio Pochettino menaxhoi mjaft mirë ndeshjen, duke qarkulluar dendur topin dhe arriti të zhbllokojë rezultatin në minutën e 19’ me anë të Mauro Icardit, që mori një asist perfekt nga Mbappe dhe shtyu topin në rrjetë me portën e boshatisur.
Kur kishin mbetur edhe 10 minuta nga fundi i ndeshjes ishte sërish talenti francez Kylian Mbappe që u bë protagonist, duke shënuar golin që mbylli llogaritë, me një asist të argjentinasit Angel Di Maria.
Kjo është hera e 14 në histori që Paris Saint Germain fiton Kupën e Francës, ndërsa Monaco e ka fituar vetëm 5 herë dhe ka humbur po kaq finale të tjera. Në fundjavë kryeqytetasit do të provojnë të fitojnë edhe kampionatin, për të bërë “bis” trofesh, ndonëse aty gjithçka është në dorën e Lille.
Top Channel