Në Bruksel u mbajt darka e organizuar nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, me pjesëmarrjen e liderëve të vendeve të Ballkanit Perendimor, e për herë të parë, pjesemarrës i një takimi të tillë ishte dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurtit.

Borrell tha në prag të takimit se Ballkani Perëndimor është një rajon gjeostrategjik shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, ndërkohë që mjaft njerëz në këto vende janë të dëshpëruar me angazhimin e BE dhe me procesin e integrimit.

Ai paraqiti një dokument me propozime konkrete për zgjidhjen e shumë problemeve në raport me këto vende. Darka e përbashkët ku ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Kosovës, Albin Kurti, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe përfaqësuesi i Bosnjë-Hercegovinës, zgjati rreth dy orë.

Pas saj, Kurti deklaroi për mediat e Kosovës se në shtete të Ballkanit Perëndimor ka ende “kriminelë të luftës dhe të paqes”, duke aluduar për kreun e shtetit të Serbisë. “Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të mund të ecin shumë më shpejt nëse u përmbahen 3 vlerave: demokratizimit, sundimit të ligjit, nëse luftohen oligarkitë në ekonomi, dhe ballafaqimit me të kaluarën, pra duhet të eliminohen nga skena politike e institucionale kriminelët e luftës e paqes“, theksoi Kurti duke shtuar se “edhe më tej, në Ballkanin Perëndimor kemi kriminelë të luftës dhe të paqes që dominojnë në institucione“, ishte komenti i tij.

Takimi i radhës në këtë format do të mbahet në një prej vendeve të Ballkanit, bëri të ditur kryeministri i Kosovës.

Top Channel