Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sërish kërkoi lirimin e përkohshëm të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në konferencën e pestë statusore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, avokati i Thaçit, Pierre-Richard Prosper, deklaroi se me mbajtjen në paraburgim të klientit të tij, pa e ditur saktë se për çka po akuzohet, ai po privohet nga prezumimi i pafajësisë.

Reagimi i avokatit të Thaçit, erdhi pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar pohoi se hetimet parashikohet të vazhdojnë “deri në një të ardhme të parashikueshme”, duke shtuar se disa materiale planifikon që t’i nxjerrë në muajin shtator. Avokati i Veselit, Ben Emmerson i cilësoi këtë afat kohor si krejtësisht absurd.

Mbrojtja sqaroi se është duke përgatitur kërkesat për lirimin e klientëve të tyre dhe gjykatësi tha se do të shtyjë afatin deri më 31 maj, në mënyrë që avokatët të mund të parashtrojnë kërkesat e tyre. Sipas Emmerson,  Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë juridiksion që të gjykojnë veprat për të cilat akuzohen ish-krerët e UÇK-së. sipas tij, me këtë ritëm mund të parashikohet që prokuroria të jetë gati për gjykim deri në mesin e vitit të ardhshëm.

Top Channel