Edin Dzeko në udhëkryq, mes Romës, Los Angeles Galaxy dhe…

19/05/2021 16:54

Deri një muaj më parë, largimi i Edin Dzeko nga Roma konsiderohej pothuajse i sigurt, por me “heqjen qafe” të trajnerit portugez, Fonseca, dhe ardhjen e José Mourinhos, skenarët mund të ndryshojnë.

Sulmuesi boshnjak, i cili në përfundim të derbit të fituar ndaj Lazio doli nga fusha me ovacionet e tifozëve, që e konsideruan si sfidën e fundit të tij me fanellën verdhekuqe, mund të qëndrojë në “Qytetin e Përjetshëm”, sepse është i intriguar nga mundësia për të bashkëpunuar me “Special One”. Portugezi është një trajner karizmatik, që gjithmonë u del në mbrojtje futbollistëve të tij, veçanërisht atyre të vijës së parë.

Çdo skenar mbetet i hapur, për këtë arsye, javën e ardhshme, Alessandro Lucci, përfaqësuesi i Dzekos, do të takohet me drejtorin e përgjithshëm të Romës, Tiago Pinton, për të kuptuar gjithashtu se cili është pozicioni i klubit në lidhje me sulmuesin 35-vjeçar dhe të ardhmen.

Sigurisht, mbetet në fuqi hipoteza e shitjes, sepse nuk mungojnë skuadrat që e admirojnë numrin 9. Në Europë sigurisht që do të ishte e vështirë të gjendej të blerës, i gatshëm për t’i ofruar pagën që përfiton te Roma: 7.5 milionë euro neto në sezon.

Në orët e fundit është zbuluar interesi i Los Angeles Galaxy, një klub që i ka mirëpritur “yjet” europianë të futbollit. Në skuadrën kaliforniane luan një emër i rëndësishëm si Javier Hernández, i njohur si “Chicharito”, ish-sulmuesi i famshëm i Manchester United.

Zërat për transferimin e Dzekos në Kaliforni bëhen edhe më seriozë nga fakti që vajza e madhe e futbollistit boshnjak, Sofia, ka zgjedhur një kolegj në Los Angeles për të vazhduar studimet. Një qytet që e njeh mirë edhe bashkëshortja e tij, Amra Dzeko, e cila në vitin 2010 u transferua në Los Angeles për të bërë karrierë si modele. Pikërisht në këtë qytet forcoi marrëdhënien me Edinin, kur ky i fundit ndodhej atje në një turne me Manchester City-n.

Një tjetër të dhënë e zbulon një menaxher boshnjak, sipas të cilit “në ambientin e lojtarit është folur që Dzeko do të shkojë te Los Angeles Galaxy”, por pa zbuluar më shumë detaje.

Top Channel