Zyrtarë të lartë të disa vendeve kanë thënë se është shënuar përparim në bisedimet për të ringjallur paktin e vitit 2015 të fuqive botërore me Iranin dhe për të bindur Shtetet e Bashkuara të ribashkohen me marrëveshjen historike.
Një raund i ri i diskutimeve është zhvilluar më 19 maj në Vjenë.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha se janë shënuar “rezultate konkrete” në bisedime, duke shtuar se qëllimi kyç mbetet që në dy javët e ardhshme të krijohen kushtet që SHBA-ja të kthehet në marrëveshje.
Ai nuk dha detaje se, në cilat drejtime ishte shënuar përparimi.
Izraeli “do të bëjë gjithçka” që Irani të mos ketë armë bërthamore
Enrique Mora, zyrtari i BE-së që merr pjesë në bisedime, tha se ai ishte “mjaft i sigurt” se një marrëveshje do të arrihej ndërsa i dërguari rus, Mikhail Ulyanov, tha në Twitter se, shpresonte që në javën e ardhshme të zhvillohet raundi i fundit i bisedimeve.
Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një delegacion Vjenë dhe zyrtarët e vendeve tjera po konsultohen me diplomatët amerikanë dhe ata të Iranit përmes takimeve të ndara.
Presidenti iranian Hassan Rohani dëgjon kreun e Organizatës së Energjisë Atomike Ali Akbar Saleh gjatë një vizite të pajisjeve bërthamore të Iranit në Teheran.
Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga marrëveshja në vitin 2018.
Vendimin e kishte marrë ish-presidenti amerikan, Donald Trump, i cili pati thënë se marrëveshja ishte e keqe dhe i mundësonte Iranit të posedojë armë bërthamore. SHBA-ja vendosi sanksione shkatërruese ndaj Teheranit.
Si kundërpërgjigje, Irani filloi me shkeljen e marrëveshjes dhe pasurimin e uraniumit.
SHBA-ja nën udhëheqjen e presidentit, Joe Biden ka shprehur gatishmëri për një zgjidhje diplomatike mirëpo ka kërkuar që Irani fillimisht të zbatojë kushtet e marrëveshjes.
Teherani, në anën tjetër, kërkon shfuqizimin e sanksioneve amerikane.
Teherani gjithashtu ka nxitur palët e mbetura në marrëveshje – Francën, Britaninë e Madhe, Rusinë dhe Kinën për lehtësime ekonomike./REL/
Top Channel