Benzema kthehet në kombëtare/ Pas mbi 5 vite mungesë rikthehet te Franca

19/05/2021 12:33

Karim Benzema më në fund sheh emrin në listën e të grumbulluarve te përfaqësuesja franceze, pas një mungese prej 5 vjet e gjysmë.

Trajneri i skuadrës kampione të botës, Didier Deschamps vendosi që të shkruajë në listën provizore të skuadrës për Euro 2020, edhe emrin e sulmuesit të Realit të Madridit. Karim Benzema nuk grumbullohej në përfaqësuesen franceze që nga viti 2015 kur shpërtheu skandali Valbuena, ndaj të cilit u bë shantazh për një video erotike të tij dhe ku u përfshi edhe pikërisht Benzema. Trajneri Deschamps në një intervistë për TF1 tha se e injoroi çështjen personale të Benzema .

As unë e as Benzema nuk kemi aftësinë për të ndryshuar gjërat. Ato që kanë më shumë rëndësi janë e sotmja dhe e nesërmja, kështu që në marrjen e këtij vendimi u bënë hapa të rëndësishëm. një prej këtyre hapave ishte takimi me të. Folëm gjatë dhe pas kësaj unë reflektova shumë kohë sigurisht rreth shumë gjërave deri sa mora këtë mendim”, u shpreh Didier Deschamps.

Karim Benzema që ka shënuar 27 gola në 81 ndeshje me Francën, këtë sezon me Realin e Madridit është shfaqur në një formë të jashtëzakonshme. Sulmuesi francez deri tani ka shënuar 29 gola për Realin e Madridit duke e kaluar kuotën e 20 golave sezonalë në 3 vitet e fundit, që pas largimit të Cristiano Ronaldos nga Los Blancos në vitin 2018.

Top Channel