Forcat izraelite eleminuan kreun e Xhihadit Islamik në Gaza, Abu Harbeed, i konsideruar përgjegjës për njërin prej sulmeve të para të javës së përgjakshme që shënoi rindezjen e konfliktit në enklavën palestineze.
Harbeed u vra brenda ndërtesës ku jetonte në fshatin Beit Lahiya. Ai kishte marrë komandën e militantëve të këtij grupimi që vepron në veri të Rripit të Gazes, të cilët janë dhe ata që lëvizin më shumë në afërsi të kufirit e lëshojnë raketa drejt shtetit hebre.
Xhihadi është fraksioni palestinez më i lidhur me Iranin. ndjekësit e tij u hakmorën për vrasjen e Harbeed duke hedhur në jug të Izraelit mbi 200 raketa në 12 orë. Hamasi nga ana tjetër kërcënoi të rinisë sulmet mbi Tel Aviv nëse avionët izraelitë vazhdojnë bombardimet dhe shembjen e ndërtesave në Gaza. “Bombat izraelite po i shkundin godinat në territor si një tërmet”, thotë BBC.
60 sulme ajrore kryen gjatë natës forcat izraelite. Kësaj situate ende nuk i duket fundi; pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare në rritje, zyrtarët e lartë izraelite thonë se kjo gjendje mund të zgjasë për disa kohë.
212 palestinezë janë vrarë që prej shpërthimit të konfliktit të hënën e kaluar, përfshirë 100 gra e fëmijë. Izraeli thotë se në ofensivën e tij kundër Hamasit nuk po i shënjestron qëllimisht civilët, por ky është dhe problemi i madh i tij: si mund të zhvillosh një luftë në njërën prej zonave më të varfra por edhe me dendësi më të madhe popullsie në botë, kundër një armiku që e përdor këtë situatë në favorin e vet?
Top Channel