Eksportet shqiptare kanë shënuar një kthesë pozitive edhe gjatë prillit, pas rritjes së lehtë që shënuan në mars.
Sipas të dhënave të Instat, muajin e kaluar u eksportuan 29 miliardë lekë mallra, gati dyfish më shumë se e njëjta periudhë e 2020-ës, kur shtetet kishin vendosur masa bllokuese për shkak të pandemisë duke penalizuar tregtinë mes vendeve.
Si raport 4-mujor, vlera e eksporteve arriti në 109 miliardë lekë, rreth 28 miliardë lekë më shumë se janar-prill i vitit të shkuar, me rritjen më të madhe të tyre drejt Italisë, Kosovës dhe Gjermanisë.
Ky zgjerim i eksporteve që kapërcejnë edhe nivelet e një viti normal si 2019-ta lidhet me stokun e krijuar gjatë vitit të kaluar si rrjedhojë e bllokimit të rrugëve tregtare dhe vendosjes së karantinës në vendet partnere drejt të cilave Shqipëria eksporton, ku kërkesa u orientua kryesisht vetëm te produktet ushqimore.
Gjatë 4-mujorit ecuria e eksporteve është ndikuar pozitivisht nga të gjitha grupet, veçanërisht nga materialet e ndërtimit dhe metalet që kanë parë një dyfishim kundrejt 2020-ës, teksa rritje të fortë kanë pësuar edhe eksportet e mineraleve e lëndëve djegëse.
Edhe grupi më i madh eksportues në vend tekstilet dhe këpucët ndër më të goditurit nga pandemia si rrjedhojë edhe e kërkesës së ulët nga tregjet e huaja kanë shfaqur një tendencë rritëse.
Në janar-prill eksportuan rreth 36 miliardë lekë mallra në rritje kundrejt 2020-ës, por me gjithë zgjerimin nuk kanë arritur të rekuporojnë plotësisht humbjet duke mbetur poshtë niveleve të parakrizës.
Edhe vlera e mallrave të importuara është rritur ndjeshëm gjatë pjesës së parë të vitit duke arritur në 225 miliardë lekë, rreth 51 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e 2020-ës.
Kjo ka bërë që edhe deficiti tregtar të zgjerohet në 116 miliardë lekë këtë katërmujor, rreth 179 milionë euro më shumë se vitin e kaluar.
Top Channel