Milan ‘ngec’ me Cagliarin/ Komplikohet kualifikimi në Champions

17/05/2021 12:31

Milani e çoi dëm ‘match pointin’ e kualifikimit për në Ligën e kampioneve sezonin e ardhshëm.

Skuadra kuqezi nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 me Cagliarin, që pasditen e së dielës e siguroi mbijetesën në Serinë A, pas barazimit mes Beneventos dhe Crotones dhe tani do t’i duhet të fitojë me çdo kusht ndaj Atalantës në ndeshjen e fundit për t’u kthyer në elitën e futbollit evropian pas 7 vitesh.

Duhet të ishte një mbrëmje feste kjo e Milanit në ndeshjen e fundit në shtëpi për këtë sezon, por rezultoi të ishte një mbrëmje makthi me kuqezinjtë që nuk bënë shumë për ta arritur matematikisht objektivin Champions. Milani në këtë ndeshje hasi me një Cagliari të qetë dhe të organizuar mirë, ndërkohë që ai vetë u shfaq i frikësuar për të tentuar të marrë maksimumin.

Pas kësaj ndeshjeje, Milani shkoi në kuotën e 76 pikëve po aq sa edhe Napoli, ndërkohë që Juventus është me 75 pikë. Java e fundit pritet të jetë e zjarrtë për këto të trija këto skuadra. Milani do të luajë në Bergamo ndaj Atalantës që e ka siguruar tashmë pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm dhe fitorja është një detyrim për kuqezinjtë. Në rast të kundërt rrezikon që të mbetet në Europa League.

Top Channel