Akuza e rëndë e Kullurit për Lulzim Bashën: Ka dalë garant për zgjedhjet edhe me armë

17/05/2021 17:06

Ditën e diel, Partia Demokratike mblodhi dy forumet kryesore të saj, përkatësisht kryesinë dhe më pas këshillin kombëtar, ku u vendos data 13 qershor për të zgjedhur drejtuesin e ri.

Humbja e Partisë Demokratike nuk u pasua me dorëheqjen e kryetarit pasi në analizën e Lulzim Bashës shit-blerja e votës ishte shkaku kryesor i rezultatit të opozitës në zgjedhje.

Edvin Kulluri, pjesë e kundërshtarëve të Bashës dhe grupimit “Për PD” ka hedhur akuzë të rëndë ndaj Lulzim Bashës në emisionin Top Talk duke thënë se kryedemokrati duhet të mbajë përgjegjësi se doli garant “edhe me armë” për zgjedhje të lira, ndërsa tani thotë se vota e qytetarëve shqiptarë është vjedhur.

Kulluri: Këtu ka një mungesë përgjegjësi totale personale, forumeve dhe grupit parlamentar e këshillit kombëtar, të cilët kanë marrë përgjegjësinë të opozitës së Lulzim Bashës për të na çuar drejt fitores që në fakt ishte humbja e pestë radhazi e PD dhe e katërta e Bashës. Në garën e tretë as nuk e mori përgjegjësinë të hynte në zgjedhje. Ky kapak që i është vënë kësaj tenxhereje që po shpërthen, një forcë konkurruese për të fituar pushtetin në Shqipëri tregon se kjo parti sot që flasim është personalizuar, është kthyer në sekt personal të Lulzim Bashës.

Që në momentin që nuk surprizohet më nga humbjet apo mosmbajtjta e përgjegjësisë, ne do ta kuptojmë qartë se në ç’gjendje është PD. Nëse do qëndrimin tim personal, pavarësisht se zgjedhjet kanë pasur problematikën e tyre, së pari Lulzim Basha është betuar se nuk do të lejojë vjedhjen e zgjedhjeve, e dyta është futur në një Komision Zgjedhor pikërisht sepse kishte garanci dhe besimin se zgjedhjet nuk do vidheshin por do të kryheshin të rregullta, përndryshe vazhdonte bojkotin. Përderisa ka dalë në deklaratë, edhe me armë që zgjedhjet nuk do të vidheshin, tani të mbajë përgjegjësi mos garantues i zgjedhjeve të lira në Shqipëri. Zgjedhjet në Shqipëri bëhen edhe pa Lulzim Bashën.

Top Channel