Teksa konflikti mes Hamasit dhe Izraelit përflaket, mediat sociale mbusheshin me video që i ngjasonin filmave fantastiko-shkencorë me raketa që shndrinin në qiellin e natës e shpërthenin në flakë.
Komente si “lufta e yjeve” u përdorën për të përshkruar sistemin izraelit të mbrojtjes, Iron Dome. Nga 1.600 raketa të lëshuara prej Hamasit, Iron Dome thuhet të ketë shkatërruar 90% të tyre.
Ajo që po ndodh aktualisht veç të tjerash është një betejë mes një teknologjie mjaft të përparuar dhe një tjetre tejet modeste, duke vënë përballë nga njëra anë sistemet e sofistikuara izraelite e nga ana tjetër raketat artizanale të militantëve palestinezë. Por high-tech-u izraelit mund të mos jetë i mjaftueshëm. Iron Dome, i krijuar nga Rafael Advanced Defense Systems, e pikasi rrezikun e parë përpara 10 vjetësh.
Ajo përbëhet nga një seri radarësh, qendra të kontrollit të armëve dhe njësi automatike lëshimi të raketave. Njësitë janë të shpërndara në mënyrë të tillë që të mbulojnë një zonë maksimale. Sistemi i menaxhimit të betejës përcakton cila predhë përbën kërcënimin dhe më pas i aktivizon. Çdo lëshues raketash mban 20 raketa Tamir, që peshojnë rreth 90 kg secila dhe kanë një rreze prej 40 km e llogaritet të kushtojnë 20.000 deri në 100 mijë dollarë njëra.
Por a është ky sistem i pamposhtur, siç është përpjekur ta përshkruajë Izraeli? Kjo u hodh poshtë, sipas mediave të huaja, gjatë bllokadës së Rripit të Gazës në 2019-të, kur luftëtarë të Hamasit dhe grupe rezistence të Xhihadit Islamik lëshuan 700 raketa brenda një kohe të shkurtër, duke e hutuar sistemin, që arriti të diktonte vetëm 240 prej tyre.
Militantët thanë asokohe se qëllimisht kishin lëshuar një numër të madh raketash në një zonë të caktuar sepse kishin gjetur që kjo taktikë e re e shpërqendronte kupolën e hekurt.
Nga ana tjetër, autoritetet izraelite e kanë pohuar me shqetësim se gjatë viteve të fundit edhe fuqia e raketave të Hezbollahut është rritur në mënyrë dramatike. Sipas vetë krerëve ushtarakë izraelitë, grupi libanez i rezistencës, në një konflikt të ardhshëm ushtarak, do të ishte në gjendje të lëshonte deri në 2000 raketa në territoret e pushtuara, të cilat do të përbënin një sfidë të vërtetë për Iron Dome.
Top Channel