“Wembley” gjallërohet nga tifozët, Leicester fiton finalen ndaj Chelsea-t

15/05/2021 22:46

Vetëm pak vite pasi fitoi për herë të parë në histori kampionatin anglez, Leicester shton një tjetër trofe në palmaresin e klubit, pasi ia doli të triumfojë në finalen e FA Cup, ku mposhti me rezultatin minimal 1-0 Chelsea-n.

Në një “Wembley” që gjallëronte nga prania e rreth 20 mijë tifozëve, ishte belgu Tielemans që shënoi golin vendimtar në minutën e 63-të të takimit, ndërsa Chelsea gjeti golin e barazimit me Chilwell në shtesë, por u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje.

Kjo është hera e parë në histori që Leicester fiton këtë kompeticion, pasi ka dështuar më parë në plot 4 finale, ndërsa pas vërshëllimës finale të arbitrit Olivier, festa e djemve të drejtuar nga Brendan Rodgers ishte tërësisht e ligjshme.

Nga ana tjetër Chelsea dështon të fitojë trofeun e parë sezonal, megjithatë tri ditë më vonë do të presë sërish Leicesterin në Londër, këtë herë në një ndeshje direkte për zonën Champions të renditjes./Super Sport/

Top Channel