Gjykata e Tiranës e zhvilloi gjyqin ndaj Marius Demës dhe miqve të tij mes vajtimit të të akuzuarit për vrasjen e Mehmet Qemës vrarë në lojë e sipër në Tiranë.
Nga gjendja e rënduar psikologjike e 27-vjeçarit, tre herë gjyqtarja urdhëroi ndërprerje të seancës, teksa Marius Dema bërtiste i përlotur: “Vrava vëllanë tim, nuk doja ta bëja. Më mirë të kisha vrarë veten.”
Kërkesa “arrest me burg” ndaj Marius Demës u pranua nga gjykata që e dërgoi të riun në paraburgim. Prokurori shtoi se pavarësisht se shkresat u dorëzuan për vrasje me dashje nga këqyrja e kamerës së sigurisë të krijohet përshtypja që krimi ndodhi aksidentalisht.
Për të ndaluarin Xhuliano Koçi u vendos “arrest shtëpie” kurse për Erlind Pekën, Marjus Halilin, Eder Pjetrin dhe Blerim Hotin “detyrim paraqitje”. Ndërsa Frenkli Myftari është i vetmi të cilin gjykata vendosi ta lërë të lirë.
Prokurori deklaroi se të gjithë shokët e viktimës u arratisën nga skena e krimit ndonëse të gjithë ata justifikohen se u larguan nga tronditja. Viktima Mehmet Qema po qëndronte në lokal së bashku me shokët, kur njëri prej tyre që këmbëngul se e gjeti pistoletën mbi tavolinë nisi të bëjë shaka e të luajë duke ia drejtuar armën të ndjerit.
Në çastet e fundit, viktima shfaqet në kamerën e sigurisë duke i kërkuar Marius Demës që ta largojë pistoletën prej së cilës u gjuajt me një plumb dhe që më pas gëzhoja u zhduk pikërisht nga shokët e tij.
Top Channel