Fitorja në transfertën me Sassuolon ka rikthyer disi qetësinë te Juventusi, që nesër pasdite do të presë në “Allianz Stadium’ kampionët e rinj të Italisë, Interin, në një ndeshje që vlen vërtetë shumë për bardhezinjtë.
Aktualisht skuadra e drejtuar nga Andrea Pirlo po lufton për një vend në zonën Champions dhe çdo rezultat tjetër përveç fitores ndaj zikaltërve, do t’ua shuante plotësisht shpresat për të arritur objektivin.
“Ndaj Sassuolos ishte një fitore e rëndësishme për të treguar se mund të reagojmë pas një humbjeje si ajo ndaj Milanit. Megjithatë kemi edhe dy finale deri në fund të kampionatit dhe duam të marrim maksimumin e mundshëm, pa harruar edhe finalen e Kupës së Italisë ndërmjet të dyjave”, u shpreh Pirlo.
Tekniku bardhezi pranoi se skuadra ka gabuar shumë këtë sezon, sidomos në përballjet me skuadrat e ashtuquajtura të vogla, ndaj të cilave ka lënë shumë pikë, teksa theksoi se Interi ka fituar me meritë titullin, pasi ka pasur më shumë uri.
“Kemi lënë shumë pikë me të vogla, në ndeshje që në letër duheshin fituar dhe kjo natyrisht që na djeg shumë. Nuk e di nëse Interi është më i fortë se ne, por di të them që ata kanë pasur shumë uri dhe janë shfaqur të qëndrueshëm gjatë gjithë sezonit. Duke njohur Conten, pres që zikaltrit të vijnë në Torino për të fituar”, tha trajneri i Juventusit.
Top Channel