LDK akuzon qeverinë: Pa plan për integrimin e veriut, i mungon strategjia për rend dhe ligj

15/05/2021 16:30

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një konference për media ka prezantuar të gjeturat e Departamentit për rend, ligj dhe Siguri, lidhur me programin qeverisës të partisë në pushtet.

LDK vlerëson se dokumenti i miratuar në Qeveri është dokument sipërfaqësor, që nuk i përmbush kriteret e programit qeverisës.

Shkëmb Manaj nga ky departament tha se që në startin e saj vërehet se kjo qeveri nuk e ka të qartë se cilat janë problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e vendit, duke shtuar se e njëjta nuk ka kapacitete që t’i zgjidhë ato.

“Kjo qeveri në programin e saj qeverisës nuk ka paraparë asnjë masë konkrete për integrimin e plotë të veriut të Kosovës, shtrirjen e autoritetit të saj në këtë pjesë të shtetit tonë. Partia në pushtet sa ishte në opozitë trumbetonte se në momenti që vjen në pushtet do të shtrinte autoritetin e plotë në veri të Kosovës. Prandaj, ajo duhet t’u shpjegojë qytetarëve të Republikës se cilat janë masat që i kanë ndërmarr për shtrirjen e këtij autoriteti”, tha Manaj.

LDK vlerëson se Qeveria nuk ka përcaktuar asnjë masë dhe nuk ka ndarë buxhet për të mbështetur institucionet e sigurisë në këtë pjesë të vendit.

“Qeveria nuk ka paraparë asnjë masë për kthimin e qytetarëve në veri të vendit, të shqiptarëve në shtëpitë dhe pronat e tyre dhe t’iu garantojë atyre sigurinë dhe mirëqenien sociale. Në vend të kësaj ata kanë zgjedhur që të paguajnë 11 milionë euro për t’i shlyer borxhet e rrymës së papaguar të Serbëve në veri të vendit tonë”, tha ai.

Sipas LDK-së, LVV në programin e saj qeverisës nuk ka paraparë asnjë ndihmë për Policinë e Kosovës, e as strategji kombëtare për trajtimin e krimeve të luftës.

“LDK vlerëson se nuk mund t’i qasemi kësaj çështje pa një dokument strategjik. Nuk mjafton vetëm rritja e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por duhet buxhet shtesë, duhet të ngrihen kapacitete profesionale, si dhe duhet të përfshihen edhe mekanizma të tjerë, si dhe shoqëria civile në mbledhjen dhe dokumentimin e krimeve të kryera nga regjimi i Serbisë ndaj qytetarëve të vendit tonë”, tha ai.

LDK akuzoi Qeverinë Kurti edhe për mospërfshirje në programin qeverisës mbrojtjen e gazetarëve dhe mediave në përgjithësi.

Sa i përket vetingut LDK vlerëson se Qeveria Kurti nuk ka ide të qartë e as plan se si do të bëhet dhe cili do të jetë rezultati.

“Kjo çështje është përdorur për interesa politike sa ishte në opozitë, e tani në pushtet nga sa është prezantuar deri me tani mund të shihet si tentim për të kapur organet e drejtësisë, e as pak si reformë thelbësore me qëllim të përmirësimit në fuqizimin e institucioneve të drejtësisë. Këto ditë MD-ja ka përfshirë persona për të cilët sa ishte në opozitë i kanë akuzuar me emër dhe mbiemër si kapës kryesorë të institucioneve të drejtësisë. Prandaj si është e mundur që ky  proces të kryhet me njerëz që ishin kapës të institucioneve”, tha ai.

LDK akuzoi Qeverinë Kurti edhe për mospërfshirjen në programin qeverisë anëtarësimin në institucionet e sigurisë, siç është INTERPOL.

Ndërsa LDK u pajtua me nismën e Qeverisë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, mirëpo nuk po i pëlqen qasja e Qeverisë karshi kësaj teme.

Po ashtu sipas LDK-së Qeveria Kurti nuk ka as strategji as për fushën e sigurisë.

Top Channel