Finalja me publik, por si do të zgjidhet “shtetrrethimi”?!

14/05/2021 14:09

Finalja e Kupës së Italisë, Juventus-Atalanta, do të shënojë kthimin e publikut në një ndeshje futbolli në Itali.

Të mërkurën, në mbrëmje, në tribunat e stadiumit “Mapei”, në Reggio Emilia, pak më shumë se 4 mijë spektatorë, pra 20% e kapacitetit të impiantit, do të lejohen ta ndjekin finale që do të përcaktojë fituesin e këtij trofeu. Por ekziston rreziku tifozët të largohen para që të përfundojë takimi…

Sepse, sot, detyrimi për t’u kthyer në shtëpi, në përputhje me rregullat anti-Covid, është caktuar për në orën 22:00, ndërsa finalja nis në orën 21:00. Pra, teorikisht, të gjithë tifozët do të dalin nga stadiumi pas pjesës së parë, pak a shumë siç ndodhi në turneun e tenisit, kur publikut iu desh të linte “Foro Italico” në mes të sfidës së ashpër mes tenistëve Sonego dhe Thiem.

Të hënën, kryeministri Draghi mund të vendosë të shtyjë kufirin e lëvizjes së lirë deri në orën 23:00, por ky vendim do të duhet të hyjë në fuqi menjëherë, duke pasur parasysh se do të luhet pas 48 orësh. Problemi, gjithsesi, do të mbetej, nëse finalja do të shkonte në shtesë ose te penalltitë.

Alternativë mbetet zhvendosja e orës së fillimit të finales nga 21:00 në 19:00, por edhe ky orar i ri do të krijonte disa probleme për ata që janë në punë dhe do të nxitonin për të arritur në kohë në stadium. Me pak fjalë, një rrëmujë që kërkon një zgjidhje urgjente për të shmangur një figurë të keqe dhe talljet e spektatorëve, siç ndodhi me ata të Romës në turneun e tenisit.

Top Channel