Pas blerjes së Upamecanos për mbrojtjen për mbi 40 milion euro dhe zyrtarizimit të Nagelsmann si trajneri që do të pasojë Flick, Bayerni i Mynihut nuk do të bëjë më goditje të mëdha gjatë verës. Madje as që do të futet në garë për talentin norvegjez të Dortmundit, Haaland.
Situata u sqarua nga CEO-ja i ardhshëm i bavarezëve, Oliver Kahn, i cili do të marrë detyrën nga Karl-Heinz Rummenigge nga 1 janari 2022. I intervistuar nga “Sport Bild”, ish-portieri konfirmoi se klubi nuk ka mundësi të bëjë investime të mëdha për shkak të prekjes nga pandemia. Muajt e fundit është folur se investimi në merkaton e verës nuk do t’i kalojë 80 milionë euro.
“Më vjen keq, por kushdo që flet për këtë ende nuk e ka të qartë situatën. Një transferim i cili, me sa kemi dëgjuar, kushton më shumë se 100 milion euro është e paimagjinueshme për Bayernin në këtë moment. Pas blerjes së Upamecanos, hapësira jonë financiare për manovrim është shumë e kufizuar”.
Sa i përket interesimit të mundshëm për Haaland, Kahn kujton performancat e shkëlqyera të Robert Lewandowskit, kontrata e të cilit përfundon pas dy vitesh.
“Lewandowski ka ende dy vite në kontratën me ne dhe performanca e tij nuk mund të vihet në dyshim. Ai tashmë ka shënuar 39 gola në Bundesligë. Vetëm për këtë ne nuk duhet të mendojmë për Haalandin sot. Roberti mund të qëndrojë në këtë nivel për shumë vite.”
Drejtori i përgjithshëm i ardhshëm gjithashtu foli për situatën e lidhur me Superligën dhe dëmet që sipas tij do t’i kishte sjellë futbollit botëror.
“Një Superligë e bërë në atë mënyrë ishte e papranueshme. Vetëm se do të përkeqësonte problemet e futbollit. Më shumë para, transferime më të shtrenjta, paga më të larta, tarifa më të larta menaxherësh. Është saktësisht mënyra e gabuar për të vazhduar”.
Top Channel