Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë i cili nuk ka nënshkruar kontratë për blerjen e dozave të vaksinave anti-COVID.

Kosovarët deri më tani janë imunizuar me dozat e pranuara donacion nga Bashkimit Evropian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Por përkundër kësaj në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se tashmë janë në proces të lidhjes së kontratës, madje sipas tyre me disa prej kompanive janë edhe drejt finalizimit.

“Ministria e Shëndetësisë është në proces të lidhjes se kontratës për blerjen e vaksinave të nevojshme me disa nga kompanitë prodhuese. Ky proces është në fazë të përparuar derisa me disa prej tyre ky proces është shumë afër finalizimit. Sido që të jetë, për arsye të kushteve të konfidencialitetit të cilave iu nënshtrohet ky proces, jo vetëm me Kosovën, për hollësi të tjera do të njoftoheni në kohën e duhur”, ka thënë përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress, Këshilltari politik i ministrit të Shëndetësisë, Sami Uka.

Kritika karshi qeverisë së Kosovës për mosnënshkrim të kontratës për blerje të vaksinave ka adresua anëtari i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Bekim Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, thotë se me këtë ritëm të vaksinimit Kosovës do i duhen 10 vite e gjysmë që të përfundoj procesi i imunizimit karshi koronavirusit.

“Prej atyre deklarimeve që shumë shpejt do ketë kontratë të vaksinimeve nuk ka ende kjo është shumë shqetësuese sepse deri më tani vaksinat të cilat kanë arritur janë vetëm donacion të COVAX-it dhe Bashkimit Evropian dhe qeveria Kurti ende nuk ka arritur me i siguruar një kontratë dhe është e  vetmja qeveri në Evropë që nuk ka kontratë për furnizim me vaksina dhe kjo është shumë shqetësuese sepse mungesa e vaksinave është rrezikim i shëndetit të qytetarëve. Çdo ditë e humbur në vaksinim është jetë e humbur për qytetarët.  Për 10 ditë kemi pasur zero vaksinime tani  ritmi i vaksinimit po shkon me një proces shumë të ngadalshëm me 600 mesatarisht në ditë janë e nëse vazhdohet me këtë ritëm të vaksinimit Kosovës i duhen 10 vite e gjysmë që të përfundojë procesi i vaksinimit”, theksoi Haxhiu.

Gazetari për shëndetësi, Bujar Vitia thotë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka asnjë arsye për mosblerje të dozave të vaksinave anti-COVID, pasi tashmë ekziston buxhet i ndarë dhe legjislacion i rregulluar.

“Ministria e Shëndetësisë gjithmonë është thirrur në atë se  është në proces dhe afër arritjes së marrëveshjes së ndonjë kontrata për blerje t vaksinave, por fatkeqësisht nuk kemi pasur asnjë informacion  konkret nga MSH,  përveç kësaj papërgjegjësie për të ndarë informacionet me publikun ende  është duke vazhduar një neglizhencë e MSH  por edhe qeverisë në përgjithësi për t’i siguruar vaksinat. Konsideroj që është bërë shumë vonë për të dhënë arsyetime  për sigurimin e vaksinave  buxheti është i ndarë legjislacioni është i rregulluar nuk ka asnjë arsye për asnjë vonesë qoftë  Pfizer qoftë AstraZeneca, apo vaksina tjera  të cilat mund të importohen në Kosovë nuk ka asnjë arsyetim për t’i vonuar. Çdo vonesë e me tutjemë krijon pasoja në menaxhimin e pandemisë në infektimin e grupeve të rrezikuar”, theksoi Vitia.

Për blerjen e vaksinave kundër COVID-19 dhe për nevojat tjera që lidhen me menaxhimin e pandemisë qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro.

 

Top Channel