Ftesa e Ramës ndaj opozitës për bashkëqeverisje/ Sejamini: Sa të hyjë PD në parlament, pastaj do ta tallë si gjithmonë

13/05/2021 21:50

Kryeministri Rama, i ka bërë ftesë publike opozitës që t’i bashkohet Partisë Socialiste në mandatin e tretë qeverisës.

Sipas analistit, Neritan Sejamini, këto deklarata të kryeministrit “janë sa për të lënë shenjë të mirë”. “Sot, është në interesin e tij të bëjë ftesë për bashkëqeverisje sa të hyjë opozita në parlament dhe të mbyllë muhabetin e zgjedhjeve. Po ashtu, do të dalë mirë jashtë, te të huajt, meqë është dhe pjesa e negociatave”, thotë ai.

Sejamini shton se kjo taktikë e Ramës bëhet për të nënshtruar opozitën. “Rama ka dhënë punë, mbështetje dhe ish-figurave të mëdha të PD-së, që të japë idenë se dhe opozita po qeveris, që t’i japë më pak mundësi të flasë opozitës. Do vijë shtatori, ai do të vazhdojë sërish që të tallë opozitën. Nuk është ai lloj lideri që do krijojë një frymë të re”, shprehet analisti në “Open”.

Më tej, shton se Edi Rama është lider autokrat, që kontrollon, tërthorazi kundërshtarët. “Është autokrat, qeveris vetëm, vullneti i tij është vullneti i të gjithëve. Ai nuk i fut kundërshtarët në burg, por i blen, i shpërfill”.

Edhe ndryshimet në arkitekturën e qyteteve e arsyeton me karakterin autokrat të Ramës: “Ajo që ka bërë më shumë është të ndërhyjë në arkitekturë, gjuë që kanë bërë të gjithë autokratët, në mënyrë që të lenë shenjë”.

Top Channel