Everest Çaka u vra në një pritë pranë shtëpisë së vjehrrit të tij, në lagjen ‘Skëndërbej’, në Elbasan.

Silvana Çaka, bashkëshortja e viktimës deklaroi para prokurorëve disa detaje të ngjarjes. Sipas dëshmisë së saj, çifti sapo kishte dalë nga shtëpia e prindërve të Silvanës kur është goditur nga pas nga një tjetër mjet.

Duke menduar për një aksident të mundshëm, 41 vjeçari ka ndalur mjetin ndërsa një person i maskuar e ka goditur disa herë nga afër me pistoletë me silenciator.

Bashkëshortja ka marrë vetëm një plumb në dorë dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.

Mungesa e kamerave të sigurisë në një lagje periferike të Elbasanit do të vështirësojë punën e hetuesve për dinamikën e ngjarjes. Ndërkohë 25 persona janë shoqëruar në polici si persona që kanë dijeni mbi ngjarjen, apo që kanë pasur konflikte të mëparshme me viktimën.

Rreth 1 orë pas ngjarjes në fshatin Kryemëdhenj të Golemit u gjet e djegur plotësisht një mjet tip benz i cili dyshohet se u përket autorëve të krimit.

Po kush ishte Everest Çaka, i cili mbeti i vrarë në një krim të mirë organizuar?

Familja Çaka duket se është e përfshirë në disa ngjarje të tjera kriminale. Disa vite më parë vëllai i Everest Çakës u vra në Itali. Në atë kohë u dyshua se autori i vrasjes ishte një person i njohur me pseudonimin Nel Çami. Pas pak kohësh familja Mahmuti, (Familja e Nel Çamit) prej 4 personash u vranë në Elbasan. Ngjarja ndodhi në vitin 2011, i vetmi i shpëtuar Nel Çami rezulton i zhdukur që prej asaj kohe.

Vrasësi u cilësua misterioz, por u dyshua se vrasja mund të ishte kryer nga Everest Çaka në shenjë hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij. Dyshime të cilat nuk u faktuan kurrë.

Në vrasjen e vitit 2011 mbetën të vrarë 2 vëllezërit e Nel Çamit, babai i tij dhe nusja e shtëpisë.
Por kjo duket se nuk do të jetë pista e vetme që do të ndjekë policia.

Vrasja e Everest Çokut mund të ketë lidhje edhe me vrasjen e djalit të tij të hallës Arjan Spahiu i cili u vra në Belgjikë në nëntor të vitit 2020. Spahiu ishte i dyshuar si autor i vrasjes së Gëzim Alikajt disa vite më parë, edhe kjo një ngjarje e mbetur mister.

Ekzekutimi i Spahiut në Belshikë solli në Elbasan pak ditë më parë një grup hetuesish dhe prokurorësh belg. Hetuesit belg kryen takime me zyrtarë të lartë të Policisë e Prokurorisë për të marrë informacione mbi Arjan Spahiun.

Pista e larjes së hesapeve për trafiqe të mundshme droge do të jetë gjithashtu një pistë që do të ndiqet nga policia, thonë burimet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA