“Grushteve” të rënda të Milanit nuk u rezistoi dot as “Zonja e Vjetër”. Nuk u rezistoi as lojtari më i madh që luan aktualisht në Serinë A, Cristiano Ronaldo, që në moshën 36-vjeçare ende synon të konsiderohet më i miri në botë, por që ka shënuar një seri shfaqjesh negative këtë sezon, veçanërisht kur Juve kishte më shumë nevojë për të.

Mjafton të kujtohen vetëm dy takime. Ai ndaj Portos, në Champions, ku jo vetëm humbi takimin me golin, por gjithashtu i dha dritën jeshile goditjes së lirë të Sergio Oliveiras, që i kushtoi eliminimin Juventusit. Pastaj mbrëmë, në “Stadium”, ku nuk u pa në fushë, sikur të mos ekzistonte.

Dhe tani, për herë të parë në karrierën e tij, rrezikon të qëndrojë jashtë Champions League. Për shkak se tri javë nga fundi, Juventusi është i pesti. Përtej asaj që mund të ndodhë për shkak të luftës së hapur mes UEFA-s dhe “Zonjës së Vjetër” për projektin e Superligës, bardhezinjtë me shumë gjasa nuk do të mund të kualifikohen për kompeticionin më të rëndësishëm për klube.

Që të mund të luajë Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, siç i ka ndodhur gjithmonë, që kur ishte pjesë e Sportingut të Lisbonës, Ronaldo ka dy zgjidhje: e para është e thjeshtë, por shumë e vështirë. Ai duhet të kthehet për të bërë atë që ka bërë gjithmonë, duhet të marrë Juven për dore, duke e tërhequr të paktën deri në vendin e katërt, i cili tani është shumë larg. Por Ronaldo i vërtetë është parë kohët e fundit vetëm për disa minuta në Udine.

Zgjidhja e dytë është largimi nga Torino në momentin më të vështirë që klubi i Juventusit ka kaluar dekadën e fundit, duke ndryshuar ekip, përkundër një kontrate prej 31 milionë eurosh neto që e lidh me Juven edhe për një vit. Nuk ka asnjë alternative tjetër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA