Gjithkush në jetë niset për të krijuar të ardhme të lumtura, po jo rrallëherë e gjen veten në kurthet e jetës, në histori të palumtura dashurie që e largojnë nga pritshmëritë dhe dëshirat e tij.
Romani i shkrimtarit Stefan Çapaliku ”Mbyllur për pushime” vjen si një eko e fateve njerëzore teksa i vendos ngjarjet në vitin e largët 1943, gjatë LIIB.
Stefan Çapaliku, shkrimtar: Ndjeshmëria jonë ndaj kurtheve në të cilat kemi rënë dhe që na i përgatit dinakërisht shoqëria, po dhe që ia përgatisim vetes. Nuk jemi gjithnjë të ndërgjegjshëm që aktiviteti ynë është i shëndetshëm për ne. Në këtë kuptim, letërsisë i interesojnë këta personazhet dramatikë.
Në një mbrëmje të ngrohtë mes miqsh dhe artdashësish durrsakë, romani më i ri i dramaturgut u promovua dhe diskutua në Durrës nën moderimin e regjisores së teatrit Driada Dervishi.
Driada Dervishi: Pse një regjisore teatri është në krah të një shkrimtari? Arsyeja është e thjeshtë e domethënëse, sepse ky shkrimtar ka 30 drama që kanë bërë dhe bëjnë historinë e re të teatrit post-komunist.
Romani dhe pse e përdor historinë si sfond nuk është roman historik. Ai ndalet në fatet e njerëzve që janë të detyruar të jetojnë në kontekste të gabuara. Sipas Çapalikut, lumturia është një ndjenjë që jetohet dhe nuk ka nevojë për pasqyrim letrar, ndaj “Mbyllur me pushime” vjen si një roman kur historia rrëfehet nga humbësit dhe jo nga fitimtarët.
Top Channel