Ligji i sigurimit të mjeteve/ Qeveria tërhiqet nga gjoba automatike për mjetet e pasiguruara

11/05/2021 19:48

Me 1 korrik 2021 hyn në fuqi ligji për “Sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i kthyer për shqyrtim nga Presidenti Meta me pretendimin se ka paqartësi dhe i miratuar vetëm pak ditë më parë nga Parlamenti.

Sipas ligjit të botuar tashmë në Fletoren Zyrtare, qeveria është tërhequr nga gjoba automatike për mjetet e pasiguruara që është hedhur poshtë nga Parlamenti.

Në draftin fillestar, propozohej identifikimi dhe gjobitja 30 ditë pas skadimit të siguracionit për drejtuesit që nuk e rinovonin atë.

Por, me ndryshimet e reja ligji specifikon vetëm detyrimin për t’u pajisur me një kontratë sigurimi për aq kohë sa mjeti mbetet në qarkullim, teksa për mjetet e pasiguruara konstatimi dhe ndëshkimi do të bëhet nga kontrollet e rastësishme të policisë rrugore.

Ndërsa sistemi bonus-malus, që mund të ishte risia e këtij ligji ka mbetur sërish në dëshirë të kompanive të sigurimit për t’u zbatuar, që do të përcaktojnë vetë tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm për mjetet motorike duke marrë parasysh faktorët e riskut.

Nëse ky sistem do të bëhej i detyrueshëm dhe do të zbatohej në vend, vlera e siguracionit të makinave nga kompanitë e sigurimit do të bëhej në bazë të historikut të dëmeve të shkaktuara.

Pra, drejtuesit me më shumë shkelje e dëme të shkaktuara do të paguanin një tarifë më të lartë police sigurimi për mjetin e tyre, ndërsa drejtuesit me historik të pastër ose më dëme minimale të shkaktuara do të paguanin më pak për siguracionin e makinës.

Top Channel