Konflikt për zgjedhjet e KOKSH/ Kreu i FSHF çon në KAS Fidel Yllin

11/05/2021 15:28

Përballjet ligjore mes Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Federatës Shqiptare të Futbollit kanë përfunduar në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv të Lozanës në KAS.

Më 17 prill Asambleja zgjedhore e KOKSH ku mungonin disa federata kryesore, mes tyre edhe ajo e futbollit, shpalli president Fidel Yllin, por sipas FSHF në të janë bërë një sërë shkeljesh.

Burime pranë Top Channel konfirmojnë se subjekti i ankimimit fillon që me Asamblenë Statutore dhe më pas Zgjedhore ku sipas Federatës së Futbollit ka patur anëtar që nuk janë në listën e depozituar më parë në gjykatë dhe gjithashtu në asamble komisioni i verifikimit të mandateve ka marrë kompetenca në asamblenë zgjedhore duke cenuar kështu të drejtën e anëtarësisë së FSHF-s.

Gjithsesi bëhet fjalë për një proces i cili do të kërkojë kohë për shkak të procedurave që ka kjo gjykatë e arbitrazhit sportiv. Për momentin thjesht është bërë padia, më pas gjykata do të fillojë ndërveprimin duke kërkuar informacione të mëtejshme. E përkthyer në kohë do të duhen afërsisht 3 muaj për këto procedura dhe po kaq deri në zbardhjen e vendimit, për të cilin FSHF është e bindur që do të kenë mundësinë të rrëzojnë këtë asamble dhe vendimet e saj.

Top Channel