MSH në Kosovë: Më 12 maj arrijnë 38,400 doza të vaksinës

10/05/2021 14:13

Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka njoftuar se të mërkurën (12 maj) do të pranojë edhe 38,400 doza të tjera të vaksinës përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra.

“Me pranimin e këtyre dozavë të vaksinës kundër COVID-19, do të vijohet më tej me vaksinimin e kategorive të parapara sipas Planit Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19”, thuhet në një njoftim të ministrisë së Shëndetësisë.

Në fund të muajit mars, në formë donacioni, Kosova kishte pranuar 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca.

Qendra e vaksinimit në sallën “1 Tetori”. Prishtinë, 5 maj, 2021.

Në mes të të vaksinuarve me 24 mijë dozat e para të vaksinës kundër kornavirusit, përfshihen punonjësit shëndetësorë, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike.

Më 4 maj, Kosova ka rinisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit, pas pranimit të 4,680 vaksinave të kompanisë Pfizer/BioNTech. Kjo është pjesa e parë e 95,000 dozave që Bashkimi Evropian ka ndarë për Kosovën, në kuadër të mbështetjes së vaksinimit në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ekspertë shëndetësorë, infektologë dhe partitë opozitare, i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të veprojnë në mënyrë urgjente, për sjelljen e vaksinës kundër koronavirusit, në të kundërtën, qytetarët po rrezikohen nga infektimet dhe vdekjet që po shkakton COVID-19.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke u angazhuar për sigurimin vaksinave për të imunizuar 60 për qind të popullsisë. Sipas Kurtit, synohet që deri para verës të vaksinohen grupet e rrezikuara.

Top Channel