Gjykata e Lartë ka përkujtuar Ditën kombëtare të Drejtësisë, duke theksuar ndër të tjera se bazuar në konsolidimin e praktikës nga të tre kolegjet e Gjykatës së Lartë, sot mund të thuhet se besimi në këtë institucion po krijohet dhe po jepet shpresa se situata po ndryshon.
Reagimi i plotë:
Në Ditën Kombëtare të Drejtësisë, 10 Maj, Gjykata e Lartë dëshiron të bëjë një kujtesë në vlerësim të kontributit të vyer të patriotëve shqiptarë, të cilët i kushtuan rëndësi sistemit gjyqësor duke miratuar aktin e parë gjyqësor, Kanunin e Zhurisë, i cili reflektonte parimet e organizimit dhe funksionimit të sistemit gjyqësor, me standardet më të mira ndërkombëtare të kohës. Dita Kombëtare e Drejtësisë, është një ditë për të reflektuar sa më mirë në lidhje me zbatimin në mënyrë rigoroze të detyrave kushtetuese dhe ligjore që i shërbejnë forcimit të shtetit ligjor dhe mbrojtjes se interesave të qytetarëve.
Duke parë dhe analizuar të dhënat statistikore, si dhe qëndrimet e mbajtura për konsolidimin e praktikës nga të tre kolegjet e Gjykatës së Lartë, sot mund të themi se besimi në këtë institucion po krijohet dhe po jepet shpresa se situata po ndryshon.
Realizimi sa më parë i objektivave të Gjykatës së Lartë dhe angazhimi i vazhdueshëm i të gjithë aktorëve, të përfshirë në procesin e rëndësishëm të reformës në drejtësi, janë tregues të rëndësishëm dhe shpresëdhënës se drejtësia do të bëhet.
Top Channel