Qeveria e Republikës së Kosovës po planifikon që në fund të vitit 2022 të ngrit padi kundër Serbisë për gjenocidin e kryer në Kosovë gjatë luftës së fundit.
Qeveria aktualisht po analizon punën e grupeve punuese të qeverive të mëhershme lidhur me mundësitë juridike për ngritje e kësaj padie kundër Serbisë. Por ekspertët juridik druajnë se Kosova mund të fitojë këtë betejë kundër shtetit serb, meqenëse Kosova aktualisht nuk është as pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Madje mendohet se ndoshta Kosova do ishte më e udhës që padinë për gjenocidin serb, ta ngrit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi ka deklaruar se meqenëse ky proces është i komplikuar, kërkohet kohë deri te momenti për të ngritur padinë. Ajo thotë se po planifikojnë që këtë ta bëjnë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në fund të vitit të ardhshëm.
Prioritet para padisë kundër Serbisë, Kelmendi thotë se ekzekutiv ka krijimin e Institutit për Krime të Luftës, i cili ishte shuar gjatë qeverisjes së Ramush Haradinaj.
“Ky është një proces i gjatë, i komplikuar dhe që do marrë kohë dhe mendojmë që është herët të flasim për fazat e ardhshme të këtij procesi, meqenëse edhe faza përgatitore do të merr kohë të mjaftueshme. Aktualisht jemi duke i shqyrtuar analizat e kryera nga grupet punuese të mëhershme, grupi punues i themeluar gjatë mandatit të kaluar është shuar me vendim të ministrit Selimi, dhe më pastaj është formuar një grup punues i ri, i cili ka qenë i mandatuar për të bërë analizat për mundësitë e themelimit të Institutit të Krimeve të Luftës që si fazë e këtij procesi, ne jemi duke analizuar analizën e grupit paraprak dhe analizën e filluar në qeverinë Kurti 1, dhe pas kësaj do kalojmë në një fazë të re që është diskutimi dhe miratimi i ligjit për themelimin e Institutit për Krime të Luftës…Fillimisht jemi duke u bazuar në punën e këtyre grupeve punuese të së shkuarës për të parë rezultatin e analizave të tyre dhe për të parë të kuptuar se cilët do jenë hapat konkret për fazat e ardhme të këtij procesi…Synojmë që padinë ta paraqesim para fundit të vitit të ardhshëm, meqenëse siç e thash procesi i tillë i ndërlikuar do të marrë më shumë kohë dhe duhet pasur parasysh ndjeshmërinë që përfshinë ky proces”, theksoi zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës.
Kosova duhet të punojë gjatë në mbledhjen eprovave për të dëshmuar se forcat serbe kanë kryer gjenocid në Kosovë, po thonë edhe njohësit juridik.
Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu thotë për KosovaPress, se për t’u përgatitur mirë padia kundër gjenocidit serb, qeveria duhet të krijojë një grup punues që do punojë rreth 1 vit me qëllim që të mblidhen provat dhe faktet që argumentojnë krimin e kryer ndaj popullatës së Kosovës.
Ai thotë se kjo do punë, pasi deri më tani Kosova ka bërë shumë pak në mbledhjen dhe argumentimin e provave për krimet e kryera nga regjimi serb.
“Mirë është që në mënyrë ofensive dhe të drejtë të ceken krimet e luftës, posaçërisht krimi dhe gjenocidi që është kryer në Kosovë ndaj luftës së fundit. Për të paraqitur një padi, akuzë kundër Serbisë për krimet e gjenocidit, duhet në Kosovë të krijohet një grup i ekspertëve të cilët duhet të punojnë së paku afër 1 vit për të përgatitur këtë aktakuzë, këtë posaçërisht po e theksoj për shkak se për akuzën për gjenocidin që kanë kryer forcat serbe duhet të mblidhen të dhënat, provat, faktet. Ato të sistemohen dhe të argumentohen dhe pastaj të përpilohet akuza për gjenocidin që kanë kryer forcat serbe….Kjo e vështirëson punën për këtë jemi fajtor ne mendoj, posaçërisht në atë grup personash, ato qeveri të deritanishme që nuk kanë krijuar mundësi minimale për mbledhjen, sistemin, argumentimin provimin e krimeve që janë kryer”, tha ai.
Republika e Kosovës nuk është pjesë as e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe as e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, prandaj profesori Salihu vlerëson se në aspektin juridik penal më e udhës është që Kosova këtë padi ndaj shtetit serb, ta paraqes në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
“Më mirë është në aspektin juridik penal normativ, është e udhës dhe duhet të paraqitet akuza në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të përhershme të Gjykatës së Romës. Këtë po e them sepse pikërisht kjo gjykatë është themeluar për krimet ndërkombëtare që janë kundër të drejtës ndërkombëtare humanitare. Ndërsa, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka juridiksion dhe nuk ka kompetencë për të gjykuar, ajo mund vetëm ta pranoj atë, përndryshe eventualisht me konstatuar që nuk ka juridiksion, nuk ka pushtet, nuk ka autorizime për të proceduar një person apo grup personash për krimet e luftës…Duhet të punohet në atë drejtim, eventualisht edhe nëse nuk ja arrin që kauza të ketë sukses dhe Serbia të shpallet fajtore për krimet e gjenocidit, prapë është një efekt në opinionin ndërkombëtar”, theksoi Salihu.
Top Channel