Në një frymë pajtimi dhe për të mirën e futbollit europian, nëntë nga 12 klubet e përfshira në të ashtuquajturin projekt i “Super League-s” dorëzuan në UEFA një “Deklaratë të Angazhimit të Klubit” që përcakton pozicionin e klubeve, përfshirë angazhimin e tyre në garat e UEFA si dhe në garat kombëtare.
UEFA mblodhi një Panel Emergjence të Komitetit Ekzekutiv të saj, i cili mori në konsideratë frymën dhe përmbajtjen e “Deklaratës së Angazhimit të Klubeve” dhe vendosi të miratojë veprime, masa dhe angazhime të ndryshme të klubeve. Është rënë dakord për mënyrën e riintegrimit dhe pjesëmarrjes së nëntë klubeve në garat e UEFA-s. Masat e miratuara të riintegrimit janë të plota dhe përfundimtare.
Nëntë klubet e pranojnë që projekti i Superligës ishte një gabim dhe u kërkojnë falje tifozëve, federatave kombëtare, ligave kombëtare, klubeve eeropiane dhe UEFA-s. Ata gjithashtu kanë pranuar që projekti nuk do të ishte autorizuar sipas statuteve dhe rregulloreve të UEFA-s.
Secili klub, pa rezerve, pranon natyrën detyruese të statuteve të UEFA-s dhe mbetet i përkushtuar dhe do të marrë pjesë në çdo garë të UEFA-s për klube, në çdo sezon kur klubi kualifikohet për merita sportive. Klubi do të ribashkohet me Shoqatën Evropiane të Klubeve, që është organi i vetëm përfaqësues për klubet që UEFA njeh. Si gjest i vullnetit të mirë, dhe së bashku me klubet e tjera, do të bënjë një donacion për një total prej 15 milionë eurosh për t’u përdorur për të mirën e fëmijëve, të rinjve dhe futbollit bazë në komunitetet lokale në të gjithë Europën, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Klubeve do t’u mbahen 5% të të ardhurave që do të kishin marrë nga garat e UEFA-s për një sezon, të cilat do të rishpërndahen. Ato bien dakord që të vendosen gjoba të konsiderueshme nëse ata kërkojnë të luajnë në një garë të tillë të paautorizuar (100 milion €) ose nëse shkelin ndonjë angazhim tjetër që kanë nënshkruar në “Deklaratën e Angazhimit të Klubit” (50 milion €).
Me kërkesë të klubeve, UEFA do të kërkojë dhe mbështesë që nga Federatat e tyre përkatëse kombëtare dhe ligat kombëtare t’u kushtohet vëmendja e duhur frymës, përmbajtjes dhe qëllimit të angazhimeve të premtuara nga klubet ndaj UEFA-s. Klubet që nuk e kanë dorëzuar “Deklaratë të Angazhimit të Klubit”, Reali i Madridit, Barcelona dhe Juventusi, pritet të ndëshkohen ashpër nga UEFA, deri në pezullim dyvjeçar nga kompeticionet europiane.
Klubet që kanë pranuar këto masa janë:
Arsenal FC
AC Milan
Chelsea FC
Klubi Atlético de Madrid
FC Internazionale Milano
Liverpool FC
Manchester City FC
Manchester United FC
Tottenham Hotspur FC
Top Channel