NBA/ Lakers e Brooklyn në krizë, “buzëqeshin” Clippers e Mavericks!

08/05/2021 01:32

Los Angeles Lakers vazhdojnë të humbasin pozicione në renditjen e sezonit të rregullt në NBA. Skuadra e Frank Vogel u shfaq shumë e vogël në derbin ndaj Los Angeles Clippers duke vuajtur mungesën e dyshes LeBron James-Denis Schroder. Lakers u mposhtën lehtësisht nga Clippers në Staples Center me rezultatin e thellë 118-94, në një duel të dominuar nga skuadra e trajnerit Tyron Lue nga minuta e parë e deri në atë të fundit.

Lakers me këtë humbje zbritën në vendin e 6-të dhe tashmë kërcënohen nga Portland Trail Blazzers për të zbritur akoma më poshtë, dhe nëse kjo ndodh do ta nisin aventurën në play-off që nga raundi i parë. Paul George me 24 pikë dhe Kawhi Leonard me 15 pikë ishin dy më të mirët mbi parket për Clippers ndërkohë që te Lakers të cilët humbën edhe shërbimet e Anthony Davis i cili u aktivizua për vetëm 9 minuta, spikati Kyle Kuzma me 25 pikë.

Dallas Mavericks u mori vendin e 5-të kampionëve në fuqi të NBA në renditjen e Konferencës së Perëndimit pikërisht falë suksesit të ngushtë 113-109 ndaj Brooklyn Nets. Në krizë rezultatesh skuadra nju-jorkeze që tanimë nuk ka pothuajse fare shanse për të kapur vendin e parë në Lindje pasi pësoi humbjen e 4-t rresht.

Në American Airlines Center, Kyrie Irving ishte thjeshtë fenomenal me 45 pikë, 5 rebound dhe 4 asiste të pamjaftueshme gjithsesi për të evituar humbjen. Për Mavericks Luka Doncic me 24 pikë 10 rikuperime poshtë tabelës dhe 8 asiste ishte më i miri mbi parket. Mbetet në pozita komode edhe Golden State Ëarriors që falë suksesit të thellë me shifrat 118-97 ndaj Oklahoma City Thunder blindoi vendin e 8-të në Perëndim. Stephen Curry shkëqleu në këtë sfidë me 34 pikë të realizuara në total.

Ndeshja më spektakolare e mbrëmjes së NBA u luajt në Amalie Arena dhe ishte ajo mes Toronto Raptors dhe Washington Wizards e fituar nga kryeqytetasit pas kohës shtesë me rezultatin 131-129. 44 pikë 11 rebound dhe 7 asiste koleksionoi kamerunasi Pascal Siakam për skuadrën kanadeze por në fund festuan Bradley Beal e Rusell Westbrook me këtë të fundit që koleksionoi një tjetër triple-double.

Top Channel