Vranë policin në Itali, dënim të përjetshëm dy studentëve amerikanë

06/05/2021 13:04

Dy studentët amerikanë që therën për vdekje një oficer policie në Itali, me një thikë në stil Ramboje, janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Finnegan Lee Elder, 21 vjec dhe Gabriel Natale Hjorth, 20 vjec, duhet të shërbejnë tani dënimin më të rëndë në Itali, prej të paktën 21 vitesh pas hekurash, për vrasjen e policit Mario Cerciello Rega në 2019-ën. Oficeri 35 vjecar sapo ishte kthyer nga muaji i mjaltit kur u qëllua për vdekje në një përballje me dy shokët pas një kontrolli për drogë. Elder pranoi se e kishte qëlluar policin 11 herë me thikë në sulmin që ndodhi më 26 korrik 2019, por ai argumentoi se kishte vepruar në vetëmbrojtje, duke besuar se polici ishte një hajdut.

Shoku i tij, Natale Hjorth, asokohe 18 vjec, u dënua se e kishte ndihmuar të fshihte armën pasi të dy ata e fshehën thikën në dhomën e tyre të hotelit. Sipas ligjit në itali, edhe bashkëpunëtorët mund të dënohen për vrasje. Elder dhe Natale Hjorth, u akuzuan për vrasje, sulm, rezistencë ndaj një zyrtari publik dhe mbajtjen e një arme të ftohtë. Dy shokët e shkollës nga Kalifornia ishin për pushime në Romë kur tentuan të blinin kokainë në zonën e Trasteveres, afër qytetit të Vatikanit. Hetuesit thanë se një person i quajtur Sergio Brugiatelli i kishte ndihmuar ata të gjenin një shitës. Por studentëve me sa duket iu shit aspirinë e thërrmuar në vend të drogës.

Pasi i vodhën çantën e shpinës Brugiatellit, duke i kërkuar pas paratë dhe një gram kokainë në këmbim, Brugiatelli i telefonoi policëve. Polici pa uniformë Rega dhe partneri i tij, Andrea Varriale, mbërritën në vendngjarje dhe një përleshje filloi, me studentët amerikanë që pretenduan se policët nuk u identifikuan si të tillë. Madje Elder në gjykatë tha se ai e kishte qëlluar me thikë policin pasi druante se ishte sulmuar nga një keqbërës.

Top Channel