Dy deputetët e Lezhës: Protesta/ Basha: Do të kontestojmë zgjedhjet. Por PD do të rikthehet në shtator në Parlament

05/05/2021 01:42

Deputetët e rinj të grupit demokrat i kërkuan Lulzim Bashës radikalizim të qëndrimit. Në mbledhjen e parë pas zgjedhjeve të 25 Prillit propozimi për protesta popullore erdhi nga dy akademikët e listës së Lezhës, Mark Marku dhe Agron Gjekmarkaj, të cilët paralelisht me betejën në sallën e Kuvendit kërkuan edhe betejë jashtëparlamentare.

Propozimin e tyre deputetët Marku dhe Gjekmarkaj e arsyetuan me faktin se qytetarët duan të dinë se çfarë qëndrimi do të mbajë PD pas humbjes. Por, për Lulzim Bashën nuk është koha për protesta.

Kryedemokrati u kërkoi deputetëve dhe kandidatëve jo fitues të ndërgjegjësojnë njerëzit për masakrën elektorale që sipas opozitës ka ndodhur në zgjedhje, që edhe protestat të kenë kuptim. E njëjta rrugë kërkoi të ndiqet edhe me faktorin ndërkombëtar. Hapi i parë është rikthim në Parlament në vjeshtë dhe pranimi i mandateve edhe pse rezultati i zgjedhjeve do të konstestohet. Marrëdhënien me Kuvendin Lulzim Basha e sqaroi për mediat para mbledhjes.

Lulzim Basha foli me emra konkret për autorët e asaj që PD e konsideron si masakër elektorale. Opsioni i dorëheqjes as nuk u diskutua dhe as nuk u kërkua në mbledhjen e kandidatëve fitues dhe jo fitues të zgjedhjeve. Vendimi për fatin politik të Bashës pritet të merret me një moment të dytë, pas kontestimit të rezultatit.

Top Channel