U lirua nga Haga për të takuar të atin e sëmurë, Kadri Veseli pritet me brohorima!

04/05/2021 15:50

Kadri Veseli, ish kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-kryetar i parlamentit të saj është pritur me brohorima në spitalin e Mitrovicës, ku ndodhet i shtruar në gjendje të rendë shëndetësore i ati tij.

Për të realizuar këtë takim, Veseli u lirua nga Gjykata e Hagës ku mbahet në paraburgim si i dyshuar për krime lufte.

Ish kryeparlamentari i Kosovës shoqërohej nga forca të shumta policore, përfshirë dhe Policinë e EULEX-it. Veseli ka marrë tre ditë leje nga Haga, në përfundimin e të cilave duhet të kthehet në qeli teksa procesi gjyqësor kundër tij, vijon. Ndaj Veselit,  ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Mbrojtja e Thacit argumenton se akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar e tejkalojnë juridiksionin e Dhomave të Specializuara pasi që “asnjë prej tyre sipas saj nuk ka të bëjë me pretendimet e raportit të Këshillit të Evropës, të përpiluar nga senatori Dick Marty, për ‘trajtim johuman të njerëzve dhe trafikim të paligjshëm me organet njerëzore në Kosovë’”.

 

FOTO GALERI
1/5

Top Channel