PD nuk do i njohë zgjedhjet/ Basha takon drejtuesit në rrethe: Mblidhni prova për të faktuar krimet elektorale

04/05/2021 01:21

Në mbledhjen që zhvilloi mbrëmjen e së hënës më krerët e degëve dhe sekretarët e PD-së në rrethe kryedemokrat Lulzim Basha mësohet tu ketë thënë se Partia Demokratike nuk i njeh zgjedhjet e 25 Prillit.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije se kryedemokrati Basha e ka lënë të paqartë, nëse hapi i mosnjohjes së zgjedhjeve, të çon tek hapi i mosmarrjes së mandateve. Në mbledhjen me dyer të mbyllura Lulzim Basha ka folur për shitblerjen e votës ditën e zgjedhjeve dhe dosjen e plotë që po përgatit PD për kontestimin e rezultatit në Prokurori dhe institucionet ankimuese të KQZ.

Basha pritet që të ketë edhe një takim me të gjithë kandidatët për deputetë në ditët në vijim për të analizuar rezultatin e 25 prillit në çdo zonë dhe kush ka punuar për veten dhe kush për partinë. Ndërsa javën e ardhshme Basha do të nisë një tur në të gjitha degët e PD-së në rrethe për të mbledhur prova, që sipas tij duhet të faktojnë krimet elektorale në zgjedhje. Burimet nga mbledhja thonë se Partia demokratike është e bindur se rezultati është deformuar dhe nuk shpreh vullnetin e qytetarëve.

Pas humbjes së zgjedhjeve Lulzim Basha ka shmangur daljet për mediat, ndërkohë paraditen e së hënës ai u shfaq vetëm për të përcjellë shefen e misonit të OSBE-ODIHR Ursula Gacek. Kryedemokrati nuk zbuloi nëse ODIHR i ka kërkuar të njohë zgjedhjet, por kishte një koment për kërkesën e kritikëve, të cilët i kërkojnë dorëheqjen pasi ka humbur 4 procese zgjedhore rrjesht. “Demokratët po mbledhin prova dhe fakte që do të përmblidhet në një raport voluminoz për të vërtetuar se votat u blenë. Për rreth 1 orë e 30 minuta, kryedemokrati dhe përfaqësues të opozitës denoncuan para vëzhëguesve ndërkombëtar parregullsitë e procesit.

“Zonat më problematike janë ato ku është përqëndruar e gjithë fuqia e makinerisë shtetërore, e cila është në funksion të partisë në pushtet, zona me probleme të kriminalitetit si Elbasani dhe Shijaku kanë qenë më shumë probleme si në votim ashtu dhe numërim dhe nxjerrjen e rezultatit”- tha Ivi Kaso.

Një grup pune i ngritur në selinë blu po përgatit dosjen e plotë të shkeljeve, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor. Demokratët janë të bindur jo vetëm se kutitë do të hapen , por zgjedhjet do të përsëriten.

“Është e hapur mundësia në bazë të materialeve që do zbulohet të kërkohet rikuperimi i ligjshmërisë nëpërmjet organizimave që siguron kodi. Besoj materialet që do paraqiten në Prokurori dhe pastaj edhe institucioent ankimore të KQZ janë materiale që çojnë në pocesin e rinumërimit dhe rivlerësimit të një numri të caktuar kutish”- shtoi Kaso.

Parelisht me mbledhjen e provave, opozita pret përgjigjet nga SPAK për kallzimet e bëra në periudhën parazgjedhore. ‘Kemi depozituar 180 kallzime penale në Prokurori të zakonshme dhe mbi 40 kallzime në SPAK’- vijoi Kaso.

Top Channel