Pavarsisht fitores minimale ndaj Apolonisë së vendit të fundit, trajneri i Partizanit Ilir Daja u shfaq i lumtur jo vetëm për vendin e parë por edhe për fitoren ndaj fierakëve, me Dajën që e vuri theksin te fakti se rezultati tregon diçka tjetër nga ajo që Partizani shfaqi në fushën e lojës.
NDESHJA- Duket fitore e vuajtur nga rezultati, por po të nisemi nga rastet para portës, nuk ishte dhe aq e vuajtur. Nga momenti në moment me situata që kishim para portës, prisnim që të shkonim te goli. Në pjesën e dytë ekipi krijoi, rrezikoi gjithçka, kaluam me shumë forca në sulm, ku Apolonia po mbrohej fortë. Goli na dha një qetësi, përveç lojës së mirë që kemi bërë kemi marrë dhe pikët.
VENDI I PARË- Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës aty, pavarësisht se nuk kemi qenë asnjëherë vetëm në krye, që nga fillimi i kampionatit kemi qenë prezent, dhe nuk do të ndryshojë asgjë, pozicionimi në vendin e parë.
SKEMA SULMUESE- Kemi qenë gjatë gjithë kohës me 5 sulmues në lojë, kemi përdoruar gjithë potencialin tonë. Kemi krijuar. Nëse ekipet mbyllen mbrapa dhe t’i nuk krijon, duhet gjetur një zgjidhje tjetër, por kur krijon do të thotë që edhe në atë mbrojtje të ngjeshur kemi ditur të penetrojmë.
ANA PSIKOLOGJIKE- Kjo është pjesë e futbollit, e rëndësishme është të krijojmë raste. Freskia fizike ndikon në zgjidhjen përpara portës. Kemi bërë gjithçka për ta fituar lojën. Mund të kishim shënuar më përpara, për të gjetur qetësinë dhe për të shënuar më shumë gola në fitore. Vuajtëm, krijuam dhe morëm 3 pikët shumë të nevojshme në këto javë që po shkojnë drejt fundit.
MINUTAT E FUNDIT- Futbolli është lojë situatash. Mund të ndodhë gjithçka. Kemi barazuar me Apoloninë në këtë stadium, në minutën e 96-të, nga një penallti. Besoj që ashtu siç po luanim sot, nuk kishim atë tension. Patëm një 2-3 minutësh jo të mirë, por që në fund fare filluam të kontrollonim, nuk kishim probleme të kësaj natyra. Rastet u krijuan. Mund të dënohesh në sekondat e fundit, por siç po luanim, nuk kishim vështirësi të madhe”, u shpreh Daja.
Top Channel