Barazim pa gola në supersfidën e javës së 31-të të Kategorisë Superiore mes Vllaznisë dhe Teutës. Në Loro Boriçi dëshira e skuadrës së Thomas Brdaric për të marrë maksimumin dhe për të parakaluar Teutën në renditje nuk mjaftoi pasi pasaktësia e Demir Imerit para portës dhe shtylla i thanë jo fitores së shkodranëve.
Ishte një Teutë pa grintë ajo që zbriti në fushë në Loro Boriçi dhe me synimin për të marrë një pikë, në fund ia doli por me këtë barazim skuadra e Edi Martinit humbi kreun e renditjes që tashmë mbahet nga Partizani i Dajës. Sfida nisi me Vllazninë më kërkuese. E pabesueshme ajo që humbi Demir Imeri në minutën e 5-të, kur Herald Marku i serviri një penallti në lëvizje por i vetëm në qëndër të zonës, mesfushori i avancuar i shkodranëve goditi jashtë. Me dhimbje koke Edi Martini që në minutën e 8-të pasi u detyrua të zëvendësonte kapitenin Renato Arapi për shkak të një dëmtimi me Kuros.
Vllaznia ishte më e qartë në veprimet e saj por për të parë një tjetër rast në këtë sfidë duhej pritur minuta e 38-të kur Gurishta provoi me një goditje me kokë por që ishte tërësisht e pasaktë, ashtu si edhe tentativa tjetër nga distanca e kapitenit të Vllaznisë dy minuta më pas. Shansin e artë për të kaluar në epërsi kuqeblutë e kishin në minutën e parë shtesë kur një dalje e gabuar e Frashërit për pak sa nuk solli golin e Dilaver, por goditja e sulmuesit boshnjak u ndal nga shtylla. Pjesa e dytë nisi me 7 minuta vonesë për shkak të identifikimit të disa prej tifozëve që ishin në stadium, por edhe fraksioni i dytë ashtu si i pari prodhoi pak emocione.
Në të 52-ën një goditje dënimi e Dejvi Bregut nuk solli më shumë se një këndore për Teutën ndërkohë që Vllaznia pati një tjetër mundësi të shkëlqyer në minutën e 57-të kur sërish Demir Imeri këtë herë i shërbyer nga Da Silva, i lirë në zonë nuk gjeti kuadratin me goditjen e tij fluturimthi duke humbur një gol të sigurt. Momente paniku në Loro Boriçi në minutën e 69-të kur Lorenco Vila u përplas fort në pistën e stadiumit por asgjë serioze për sulmuesin e Teutës.
Në të 82-ën Vllaznia provoi dhe me brazilianin Da Silva por goditja e tij nga distanca nuk gjeti portën. Vllaznia u hodh e gjitha në sulm në kërkim të golit të fitores në minutat e fundit por mund ta kishte pësuar në shtesë kur Blerim Krasniqi pati mundësinë ideale për t’i dhënë tre pikët durrsakëve por tentativa e tij me kokë brenda zone shkoi për fare pak jashtë portës. Në fund nga një pikë për të dyja skuadrat me Teutën që zbriti në vendin e dytë me 56 pikë ndërkohë që Vllaznia pozicionohet e 3-ta me 3 pikë më pak se Partizani kryesues.
Partizani i Ilir Dajës për herë të parë në këtë sezon kryeson i vetëm Kategorinë Superiore. Të kuqtë vuajtën por në fund morën tre pikët ndaj Apolonisë në Elbasan Arena pas një goli të realizuar nga Jasir Asani në minutën e 76-të, në një ndeshje të dominuar nga të kuqtë por që falë pritjeve të Harizajt ndeshja ndaj fierakëve rezultoi e vështirë për Partizanin. Gjithsesi në fund skuadra e Dajës doli me 3 pikë në një duel që në letër dukej i thjeshtë por që në fushë nuk rezultoi i tillë.
Top Channel