Rreth 10 mijë punonjës në sektorin e transportit presin shërbimin e vaksinimit, ku rreth 3 mijë prej tyre janë taksistë.

Vaksinimi sipas tyre do t’i jepte më shumë siguri njerëzve të përdornin shërbimet që ofrojnë duke i dhënë edhe një dorë sektorit për tu rimëkëmbur.

Kryetari i Shoqatës së Taksistëve shprehet se ndihen të përjashtuar në mënyrë absurde nga skema, ndërsa dhjetë kolegë të tij humbën jetën gjatë pandemisë. Ky sektor është tkurrur mesatarisht 2% gjatë vitit 2020 në ndikimin e PBB-së, ndërsa masat e veçanta ku nuk lejohen më shumë se dy njerëz në taksi dhe jo më shumë se 25 në ato ndërqytetas nuk i japin mundësi të operojnë në kapacitet të plotë:

 “Jemi ndër bizneset më të goditura nga të gjithë bizneset e tjera, sepse fakti që u arrit kufizimi i lëvizjes së njerëzve ra direkt në kurrizin e punës tonë.

Ajo që është interesante është se teksa vazhdon lufta ndaj pandemisë me anën e vaksinimit,  ky Këshill që merr vendime për gjithë grupet e interesit çuditërisht ka harruar që ka edhe transport publik në Republikën e Shqipërisë. E kuptojnë këta zotërinjtë që nëse duhet të kishte biznes ,pas policisë dhe mësuesve duhej të ishim edhe neve.

Është puna që brenda në taksinë tonë apo në autobus që mban 100 veta është një drejtues mjeti që është i rrezikuar 24 orë non stop, sepse janë me qindra, mijëra njerëz që transportojmë çdo ditë dhe nuk e dimë janë apo jo të infektuar” , tha kryetari.

Bardhi u shpreh se kanë bërë kërkesë zyrtare te organet, por nuk kanë marrë përgjigje:

 “E kemi bërë që në muajin shkurt dhe për ne nuk ka asnjë lloj fitore, sepse jo vetëm që nuk u kthye asnjë përgjigje zyrtare, por na thanë përpara zgjedhjeve që do vaksinoheshim dhe kalojnë ditët, javët, muajt dhe asnjë nga taksistët tanë nuk ka marrë dozën e vaksinimit. Duhet të vaksinoheshim të parët, që edhe qytetarët që përdorin shërbimin taksi të hipnin pa frikë, pa emocione, sepse ne jemi të vaksinuar” , tha ai.

 

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA