Shkarkimi i Presidentit/ Balla: Në dokumentin që kemi paraqitur janë të gjitha provat! Parlamenti aktual ka të drejtën për të larguar Metën

03/05/2021 11:29

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla në një deklaratë për mediat ka folur për procedurën e shkarkimit të presidentit Ilir Meta.

Balla: Edhe në rezolutën e parë që bëmë dhe pasi u ndërpre puna për shkarkimin e tij iu kërkua Presidentit të rikthehet në binarët e provokuar nga kushtetua lidhur me ushtrimin e detyrës, gjë që nuk ka ndodhur. Pas kësaj rezolute ka vazhduar të kryejë veprime që bien në kundërshtim me ligjin. Për këtë Kuvendi do të shprehet me vendim në ditët në vijim. Kërkesa në aspektin formal plotëson kushtet për t’u shqyrtuar. Siç e përcakton rregullorja do t’i kalojë për shqyrtim Komisionit të Ligjeve që brenda një afati duhet të shprehet nëse kërkesa i plotëson kriteret.

Pastaj duhet të ngrihet Komisioni Hetimor parlamentar që do të vërtetojë dyshimet e hedhura nga firmëtarët për këtë proces shkarkimi.

Parlamenti aktual e ka të drejtën për të ushtruar mandatin e tij deri në 8 korrik që përcakton kushtetuta. Nuk do doja të bëja asnjë deklaratë tjetër para se Komisionit të Ligjeve, i cili do ta shqyrtojë kërkesën.

Si një prej firmëtarëve besoj që në dokumentin shumë të plotë që kemi paraqitur janë të gjitha provat e nevojshme që jo vetëm argumentojnë qëndrimin tonë, por që janë edhe provat e nevojshme për të iniciuar procesin e shkarkimit të presidentit.

Top Channel