Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, qëndron sot për vizitë zyrtare në Beograd.

Varhelyi, së bashku me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, do të vizitojnë Institutin e Shëndetit Publik “Dr Milan Jovanovic Batut”, njoftoi qeveria serbe.

Të martën, zyrtari evropian do të ndalojë në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut, ndërsa të mërkurën do të vizitojë Shqipërinë dhe Kosovën, sqaroi më herët KE. Në njoftimin e saj theksohej se Varhelyi do të bisedojë me zyrtarët vendas për pandeminë e koronavirusit dhe mbështetjen e BE-së në këtë kontekst.

Bashkimi Evropian është angazhuar në mënyrë intensive që të mundësojë dërgimin e vaksinave kundër Covid 19 në Ballkanin Perëndimor. Më të fundit, ishin rreth 651 mijë doza të vaksinave Pfizer/BionTech, të destinuara për vendet e rajonit. Qëllimi i dërgesës së këtyre vaksinave është imunizimi i profesionistëve shëndetësorë dhe grupeve tjera me përparësi.

Dozat në fjalë vijnë direkt nga BE-ja, dhe janë të pavarura nga programi COVAX, i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave në vendet e varfra. Vizita e Varhelyit vjen sakaq edhe në një moment kur shfaqja e dy ‘non paper-ave’ me ide për zgjidhjen e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor shkaktuan reagime të forta, por nuk dihet ende nëse komisioneri do ta prekë këtë çështje në takimet e tij.

Top Channel