42-vjeçari, i cili dyshohet se ka plagosur me armë zjarri 61-vjeçarin, pasditen e djeshme në Krujë dhe më pas është arratisur, ka rënë në prangat e policisë.
Policia njofton se i arrestuari është banues në fshatin Luz, Fushë Krujë. I plagosuri, i cili ka marrë plagë në këmbë është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga, autori i ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në Krujë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri 61-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur dje në Krujë, bënë arrestimin e autorit të dyshuar shtetasit F. Rr., 42 vjeç, banues në fshatin Luz, Fushë Krujë.
Ky shtetas ditën e djeshme, rreth orës 18:50, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, në lagjen “Sinur” Fushë Krujë, ka plagosur me armë zjarri në këmbë, shtetasin A. D., 61 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Nën drejtimin e Prokuorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel