Përçahet opozita! Brisida Shehaj sulmon kryedemokratin: Basha ka skenarët e vet jo të opozitës! Ja çfarë thotë për dorëheqjen e Kryemadhit

02/05/2021 11:45

Në një kohë kur zëra brenda Partisë Demokratike kanë nisur të kërkojnë largimin e Lulzim Bashës, edhe zëra nga LSI kanë shfaqur pakënaqësi në drejtimin e kampit opozitar nga kryedemokrati.

Një prej tyre është edhe kandidatja për deputete në Tiranë, Briseida Shehaj, e cila nuk mundi të siguronte dot një mandat, për t’iu bashkuar kështu parlamentit të ri që pritet të formohet në shtator.

Në një rrëfim me ndjekësit në Instagram, Shehaj ka akuzuar Bashën se asnjëherë nuk ka menduar për opozitën, por vetëm për skenarët e vet.

“Gabimi më i madh ikja nga parlamenti, shkaku i largimit i hapi rrugët për gjithçka”, i shkruan një qytetar, ndërsa Shehaj i përgjigjet: “Jam shumë dakord me ty. Unë kam gabu e para se kam qenë pro atij vendimi. Por harruam që Basha ka skenarët e veta jo të opozitës.”

Ndërsa kur u pyet se “Pse nuk japin dorëheqjen kryetarët e opozitës?” Shehaj tha se kryetarja e LSI-së nuk ka pse të japë dorëheqjen, ndërsa tha se për të tjerët nuk i intereson fare: “Monika Kryemadhi s’ka asnjë arsye pse të japi dorëheqjen. 107 mijë vota LSI kundër këtij sistemi. Sa për të tjerët nuk na intereson fare se çfarë bëjnë.

PD dhe LSI të ndara në 25 prill

Kujtojmë se PD dhe LSI hynë të ndara në garën zgjedhore të 25 prillit, por disa ditë para nisjes së fushatës dy partitë më të mëdha të opozitës firmosën marrëveshjen për koalicionin pas zgjedhjeve. Arsyeja që dy partitë më të mëdha opozitare vendosën të kandidojnë të ndara ishte përfaqësimi sa më i plotë dhe sa më gjithëpërfshirës në kurorëzimin e fitores në zgjedhjet e 25 Prillit.

Gjithsej ishin 13 pika në marrëveshjen që u firmos nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Ndër to preken problematikat me karakter ekonomik, përmbushja e kushteve për integrim, rivendosja e shtetit të së drejtës, aksioni për të frenuar shpopullimin, punësim i mirëpaguar, program për rininë, barazia gjinore, lufta kundër krimit të organizuar, zgjidhja e problemit me rindërtimin e banesave të dëmtuara dhe shkatërruara nga tërmeti, zgjidhja e pandemisë etj.

13 pikat e marrëveshjes Kryemadhi-Basha

1.Nxjerrjen e vendit nga kriza shumë e rëndë ekonomike e shkaktuar nga qeverisja klienteliste dhe bashkëpunëtore e oligarkisë dhe e krimit. Rikthimi i ekonomisë në funksion të punësimit dhe mirëqenies së qytetarëve, duke i dhënë fund grabitjes më të madhe të ndodhur ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, përmes konçesioneve, oligarkëve, korrupsionit me paratë publike, që ka pushtuar çdo nivel të qeverisjes. Ky transformim ekonomik do të realizohet me një program të qartë dhe të diskutuar gjerësisht me qytetarët dhe grupet e interesit.

2.Përmbushjen e të gjitha kushteve për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe dhënien fund të çdo pengese të krijuar nga qeverisja aktuale për këtë proces jetik për të gjithë shqiptarët si dhe për mobilizimin e të gjithë faktorëve politikë dhe të shoqërisë civile për realizimin e këtij objektivi.

3.Rivendosja e shtetit të së drejtës dhe e sundimit të ligjit,  çlirimin e shtetit nga kapja, rikthimin e llogaridhënies, duke i dhënë fund abuzimit dhe shkeljes flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve, pandëshkueshmërisë së zyrtarëve publikë dhe fenomeneve shkatërruese si korrupsioni dhe uzurpimi i pushtetit për përfitime dhe interesa vetjake.

4.Ndërtimin e një aksioni qeveritar intensiv për të frenuar shpopullimin masiv.

5.Prioritarizimin e krijimit të punësimit të mirëpaguar, si rruga kryesore për të përmirësuar jetën e shqiptarëve.

6.Realizimin e një programi qeverisës me prioritet rininë, për një arsimim cilësor dhe mundësi të gjera punësimi të saj, për të eleminuar tragjedinë e shpopullimit dhe largimit masiv të të rinjve dhe për integrimin e mëtejshëm në drejtim, në politikëbërje dhe në shoqëri.

7.Për të garantuar mundësi të barabarta për përfaqësimin e gruas në vendimmarrje, për emancipimin dhe fuqizimin e saj në shoqëri dhe politikëbërje.

8.Për të realizuar një luftë pa kompromis kundër krimit të organizuar, trafiqeve të çdo lloji dhe pastrimit të parave të pista, si shkaqe penguese kryesore për zhvillimin e vendit dhe sigurinë publike të qytetarëve.

9.Për të zgjidhur në mënyrë prioritare problemin e rindërtimit të banesave të dëmtuara dhe të shkatërruara nga tërmetet. Për një proçes shumë të shpejtë, jokorruptiv e selektiv dhe me garanci juridike për pronën e tyre, që u mundëson qytetarëve të kenë në kohën më të shpejtë të mundshme njësitë e banimit apo të shërbimit.

10.Për t’i dhënë fund problemit kritik të pandemisë COVID-19, duke zbatuar një plan shëndetësor-social, i cili i jep përgjigje kufizimit të përhapjes, realizimin e testimeve, gjurmimeve dhe trajtimeve mjekësore, rimbursimin e shpenzimeve për pacientët, që trajtohen në banesë, vaksinimin e gjerë të popullatës larg trajtimit diskriminues. Për të realizuar planin e rimëkëmbjes së ekonomisë dhe mbështetjes së qytetarëve dhe biznesit të prekur nga pandemia.

11.Për zhvillimin real dhe të qenësishëm të kulturës dhe sportit.

12.Për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe për t’i dhënë fund dëmtimit, tjetërsimit dhe asgjësimit të saj.

13.Për garantimin e rikthimit të pronave për komunitetet fetare në vendin tonë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel