“Krishti u ngjall” është dëgjuar në të gjitha sheshet para kishave ku miliona grekë janë mbledhur dhe kanë festuar ringjalljen e birit të Perëndisë pas një jave hidhërimi për mundimet e Krishtit dhe kryqëzimin e tij.

Ndër qytetarët e parë që kanë marrë flakën e shenjtë, nga kryepeshkopi i Greqisë Ieronimos ka qenë presidentja e Greqisë në një ceremoni që është zhvilluar si në shumicën e kishave të vendit në orën 9 të mbrëmjes të së shtunës për shkak të kufizimeve të pandemisë.

Për besimtarët grekë, kjo Pashkë e Shenjtë, festa më e rëndësishme fetare e vitit, është fitorja e jetës mbi vdekjen, dalja nga errësira në dritë, nga frika dhe dëshpërimi, në shpresë.

Në fjalimin e tij drejtuar kombit, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka folur për trishtimin e humbjeve nga pandemia duke dhënë shpresën se po shkohet drejt fundit të saj.

“Këtë Pashkë, mendimet tona janë tek njerëzit që kemi humbur nga covid dhe tek ata që ende po e përballojnë në spitale. Fakti që vendi ynë mbetet në pozicionet e fundit në humbjet e jetës në të gjithë Evropën, nuk e zvogëlon trishtimin. Megjithatë, pasqyron dimensionin e rrezikut nga kjo pandemi. Përpjekjen e atyre që vazhdojnë të luftojnë në vijën e parë për shëndetin publik. Por edhe shpresën që u sjell të gjithëve dhurata e vaksinimit”, tha Kryeminstri grek.

Megjithëse kishat sivjet janë të hapura, në kontrast me Pashkën e vitit të kaluar, kufizimet përcaktonin një numër të caktuar të besimtarëve, si brenda ashtu edhe në oborrin e tempujve fetare.

Por gjithashtu prekin edhe pjesën tjetër të festimeve të se Dielës së Pashkëve, pasi vetëm një numër i caktuar i njerëzve lejohen në tryezën festive, ndërsa restorantet vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe për dy ditë derisa të hapen duke shërbyer në fillim vetëm në ambientet e jashtme.

Top Channel