Legjenda amerikane e tenisit, Andre Agassi humbi tre ndeshjet e para kundër Boris Beckerit, por pastaj arriti që gjithmonë ta mposhte.
Sekretin e tregoi vetëm tani. Krejt rastësisht, kishte kuptuar nga një gjest i kundërshtarit se në cilin anë do ta kryente ai shërbimin.
“E pashë nga mënyra si lëvizte gjuhën se pikërisht në atë anë godiste. Nuk po bëj shaka, ishte një lloj rutine që e bënte pa vetëdije. Kur përgatitej për shembull, për shërbimin nga e djathta, gjuha e tij dilte mbi cepin e buzës në të djathë”, pohon Agassi.
Kur e mësoi hilenë, amerikani arriti të zbrapste sulmet e kundërshtarit të tij të fortë, por ndërkohë me veten kishte edhe një sfidë tjetër. Borisi nuk duhet ta kuptonte që ai arrinte t`i parashikonte lëvizjet e tij.
“Kjo ishte pjesa më e vështirë, ai nuk duhet të merrte vesh asgjë. Ndaj më duhet t`i rezistoja tundimit që ta shfrytëzoja këtë informacion të vyer përgjatë gjithë ndeshjes, e të mjaftohesha me përdorimin e tij vetëm në momente të caktuara”, është shprehur ai.
Agassi fitoi tetë herë rresht ndaj Beckerit, duke përfshirë këtu dhe duelet e profilit të lartë mes tyre në US Open të 1990-tës dhe gjysmë finalet e French Open.
Top Channel