Steven Zhang është kthyer në Milano para kohe, një sinjal domethënës se tek Interi kanë shumë dëshirë për të ndërtuar një të ardhme fituese. Presidenti i klubit zikaltër ka para një axhendë shumë impenjative me një seri të gjatë takimesh, me shumë çështje që presin të sistemohen.
Duke nisur nga ajo e stadiumit, për gjetjen e një akordi me Komunën e Milanos, dhe gjithashtu edhe për financimin nga Bain Capitol, fond me të cilin tratativa është në fazën e mbylljes. Tek Interi do të shkojnë rreth 250 milionë euro, që nuk do të peshojnë direkt në llogaritë e klubit zikaltër, por në ato të shoqërisë që kontrollon Interin.
Një frymëmarje oksigjeni për ta mbyllur sezonin me qetësinë e duhur në këtë aspekt. Gjithsesi, për sa i përket merkatos nuk është se e imunizon Interin nga nevoja për të shituar ndonjë nga lojtarët zikaltër. Merkatoja, në fakt, është një ndër temat kryesore ku Zhang duhet të vendosë piketat në bashkëpunim me drejtuesit dhe Conten.
Emrat nga të cilët Interi mund të përfitojë shuma të konsiderueshme nuk mungojnë, natyrisht duke bërë përjashtim ata që konsiderohen të pashitshëm, duke nisur nga Lukaku. Mbeten për t’u vlerësuar ofertat për De Vrij, i cili erdhi me parametër zero nga Lazio në vitin 2018, Skriniar e ndoshta dhe për Brozovic, që i skadon kontrata në qershor 2022. Lojtarë që i duhen shumë Contes dhe për të cilët klubi do të bëjë gjithcka për t’i mbajtur. Prania e Presidentit do të shërbejë edhe për të hedhur firmat në kontratat për të cilat janë aritur akordet dhe për të diskutuar ato që janë pranë mbylljes, si për shembull në rastin e Brozovicit.
Prioritet janë edhe situatat me Bastonin dhe Lautaron, me argjentinasin që sapo ka ndërruar menaxher dhe është shumë pranë rinovimit deri në vitin 2024. Pastaj do t’u takojë lojtarëve si De Vrij, Barella për të cilin do të duhet më shumë kohë, dhe D’Ambrosio që i skadon kontrata në 30 qershor, por që është gati të lidhet edhe për një apo dy sezone me Interin. Do të vlerësohet pozicioni i Ranocchias, ndërsa tani për tani nuk po flitet për Handanovicin, që ka ende një vit kontratë. Ndërkohë, për sa u përket rinovimeve, nuk ka asgjë të re në lidhje me Conten, Marotan dhe Ausilion, që të tre të lidhur me zikaltrit deri në 30 qershor 2022. Prania e Zhang do të shërbejë për më shumë qartësi edhe në këtë drejtim.
Sigurisht që stafi teknik dhe drejtuesit do të ulen të bisedojnë edhe për blerjet e reja. Emrat që po meren në konsideratë janë të shumtë, edhe pse vetë trajneri e di që për të perfeksionuar një skuadër, që është konkurruese, nuk duhen shumë përforcime, Do të synohet që të rinovohet grupi dhe të ulen kostot. Preferencat janë për një mesfushor qendre, që të bëjë ndoshta xholin, një anësor krahu dhe mbi të gjitha një sulmues i fortë për t’iu shtuar Lukakut, Lautaros dhe Sanchez.
Sa për të përmendur disa emra, pëlqehet gjithmonë De Paul i Udineses, i njëjti diskutim për Florenzin, që është te PSG në huazim me të drejtë blerjeje nga Roma, dhe Emerson Palmieri, që është duke lënë Chelsean dhe ndihet entuziast për kalimin tek Interi. Mbeten gjithmonë aktuale pistat për emra të tillë si Muriel, Dzeko dhe Giroud. Tek Interi ka nisur puna për të krijuar vazhdimësinë duke ndërtuar të ardhmen.
Top Channel