E pabesueshme ajo që i ndodhi Romës në pjesën e parë të gjysmëfinales së parë ndaj Manchester United në “Old Trafford”, pasi u detyrua të bëjë tre zëvendësime brenda 37 minutave të para.
Që në minutën e tretë ishte mesfushori francez Jordan Veretout që u ndal për një problem muskulor në kofshën e djathtë dhe ndonëse provoi të rikthehej në fushë, nuk ia doli duke i lënë vendin spanjollit Villar.
Në minutën e 25-të ishte portieri Pau Lopez, që pasi bëri një pritje të bukur ndaj Pogba, ra keq dhe dëmtoi shpatullën, ndaj u detyrua t’i lërë vendin Mirantes, i cili shënoi kështu edhe debutimin në Europa League. Megjithatë makthi nuk përfundoi këtu, pasi në minutën e 37’ ishte anësori Leonardo Spinnazzola që la fushën e lojës për shkak të një dëmtimi dhe në vendin e tij u aktivizua braziliani Bruno Peres.
Kjo është hera e parë në historinë e Europa Leagues që një skuadër bën tre zëvendësime të detyruara brenda pjesës së parë, ndërsa Roma konsumoi ndalesat për ndryshime që në 45-minutëshin e parë, duke i hequr mundësinë Fonsecës të freskojë ekipin në pjesën e dytë.
Top Channel