Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë adresimit në Komunitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian ka prezantuar katër hapat për rifillimin e dialogut me Serbinë.

Kreu i ekzekutivit në Bruksel tha se dialogu duhet të  jetë  i drejtë dhe i barabartë në raport me palën serbe.

“Si kryeministër që ka mbi 50 përqind të votave detyrimi im i parë është që mbrojë sovranitetin, pavarësinë dhe Kushtetutën tonë. Prandaj ne jemi për dialog, që është i mirë përgatitur dhe me parime. I drejtë dhe barabartë. I pari është pranimi i realitetit, nuk mund të kthehemi para pavarësisë. Pavarësia e Kosovës në bazë të Ahtisarit, dhe hapja e kësaj pako do të thotë hapje e listës së dëshirave dhe shkëputjeve që do të qonin ngjarje të paparashikuara. E dyta është pranimi i të vërtetës. Serbia duhet të pranoj krimet e të kaluarës. Për të parandaluar gjenocidin Nato është dashur ta bombardoj Beogradin sepse ishte ai me regjimin e tij që kishte kryer gjenocid në Kosovë. Kishte aparat shtetëror dhe zyrtar qeveritar dhe një zinxhir komande, por edhe pas luftës në Kosovë qeveria e re në Serbi nuk është distancuar nga Millosheviqi dhe krimet e të kaluarës. Duke mos u distancuar nga krimet e luftës Serbia po identifikohet në  to. Së treti është barazia e përfaqësuesve, në çdo tryezë ulemi si të barabartë për të zgjidhur…Parimi i katërt është se qytetarët duhet të jenë përfitues përfundimtar”, tha ai.

Në kryeqendrën evropiane, Kurti tha se çështja e parë që duhet zgjidhur me Serbinë është fati i të pagjeturve.

“Çështja e parë që duhet të zgjidhim është fati i të pagjeturve, nëse nuk bëjmë përparim në këtë temë vështirë që mund të bëjmë përparim në fusha tjera. Kështu që nuk mund të injorojmë historinë”, u shpreh Kurti.

Euro-deputetëve, kryeministri Kurti iu kërkoi që BE-ja të dalë me një plan mini-marshall për Ballkanin Perëndimor.

“Besoj që është në interes të BE-së që të dalin me një plan mini-marshall që të përshpejtonte reformat dhe plotësonte dhe përfundonte anëtarësimin. Plani amerikan marshall kishte ndërtuar evropianë,. Tash është koha e BE-së që të shpëtojë dhe ndërtojë Ballkanin perëndimor”, tha ajo.

I pyetur nga deputetët e Parlamentit Evropian, Kurti foli edhe për marrëveshjen e Uashingtonit, për të cilat tha se është më shumë si grumbullim pikash, e jo një marrëveshje merr ose lerë.

“Nuk besoj që është menduar të implementohet, ka disa elemente pozitive Kështu duhet të shohim si grumbull pikash e jo marrëveshje merre ose lere”, u shpreh ai.

Ndërsa, euro-deputetja, njëherësh raportuesja për Kosovën, Viola Von Cramon foli për qëllimin e dokumenteve ‘non paper’ që qarkulluan për marrëveshjen finale Kosovë Serbi.

Ajo tha se qëllimi i tyre është përhapja e frikës dhe provokimi.

“Jemi të gatshëm t’iu mbështetim në çdo gjë që iu duhet, qëndrojmë në krahun e Kosovës për garantimin e shtetësisë së saj. Nuk iu kushtojmë vëmendje këtyre ‘non paper’, e dijmë çka ka prapa këtyre. Për të përhapur frikë, frikësuar dhe provokuar”, u shpreh ajo.

 

Top Channel