Fjalimi i Biden, plane masive për të ardhmen e Amerikës

29/04/2021 16:41

“Le ta bëjmë Amerikën madhështore përsëri”, thoshte paraardhësi i tij, Donald Trump. “Amerika është sërish në lëvizje”, tha Joe Biden në fjalimin e tij të parë përpara dy Dhomave të kongresit, të mbajtur pak para se të mbusheshin 100 ditë nga mandati i tij.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë prezantoi agjendën e tij ambicioze, me një paketë gjithëpërfshirëse nismash me vlerë 1.8 trilionë dollarë për familjet amerikane, arsimin, vendet e punës, infrastrukturën, klimën e të tjera.

Sot kam ardhur të flas për një situatë krize dhe mundësish. Për rindërtimin e vendit, rigjallërimin e ekonomisë dhe fitore në betejën për të ardhmen e Amerikës. Falë jush, popullit amerikan, përballë pandemisë më të vështirë që kemi ndeshur, arritëm te kapërcejmë problemet logjistike për të vënë nën kontroll këtë sfidë, përfshirë ndihmat financiare për të mbrojtur amerikanët e goditur nga pandemia’, u shpreh Biden.

Biden u ndal edhe tek administrimi i vaksinave kundër koronavirusit në SHBA, duke e përshkruar atë si “një nga arritjet më të mëdha logjistike në historinë e SHBA-së”. Ai shtoi se administrata e tij duhet të bëjë më shumë për ta kthyer vendin në këmbët e veta dhe për të siguruar se ai do të udhëheqë botën në dekadat e ardhshme. Për këtë qëllim, planifikon shpenzime masive që shkojnë deri në 4 trilionë dollarësh.

Amerika po lëviz. Po lëviz përpara. Dhe ne nuk mund të ndalojmë tani. Ne jemi në garë me Kinën dhe vendet e tjera për të fituar shekullin 21”, shtoi Biden.

Biden sqaroi se Plani i tij për Vende Pune parasheh 2.3 trilionë dollarë, ndërsa Plani për Familjet 1.8 trilion të tjerë. Ai tha se rritja e shpenzimeve do të paguhet nga taksat më të larta për korporatat dhe të pasurit, por ky propozim është refuzuar më herët nga republikanët, e madje edhe nga disa demokratë të tij. Sipas disa analistëve, presidenti bëri përpjekje të lidhë politikat e tij të shpenzimeve dhe konkurrencën me Kinën, për të fituar mbështetjen e republikanëve. Si republikanët, ashtu edhe demokratët, janë të shqetësuar për rritjen e fuqisë ekonomike dhe ushtarake të Pekinit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA