Manchester United ka triumfuar me rezultatin e thellë 6-2 ndaj Romës në gjysmëfinalen e parë dhe ka vënë një këmbë në finalen e Gdanskut, pasi ndeshja e kthimit pritet të jetë vetëm një formalitet për “djajtë e kuq”.

Në “Old Trafford” gjithçka nisi keq për Romën, që u detyrua të kryejë tre zëvendësime të detyruara që në pjesën e parë, teksa në minutën e 9’ portugezi Bruno Fernandes kaloi në avantazh “djajtë e kuq”, pas një kombinimi perfekt me Pogba e Cavanin.

Megjithatë reagimi i verdhekuqve ishte mjaft i mirë, pasi në minutën e 15’ fituan një penallti për prekje me dorë nga ana e Pogba në zonë, ndërsa kapiteni Lorenzo Pellegrini nuk gaboi nga pika e 11-metërshit, duke rikthyer baraspeshën. Në minutën e 34-t Roma zbriti sërish në një kundërsulm të shpejtë, teksa këtë herë Pellegrini shërbeu në mënyrë perfekte për Dzekon, që vetëm një hap larg vijës fatale, shtyu topin në rrjetë për herë të dytë, duke dërguar italianët në dhomat e zhveshjes me avantazhin e një goli.

Megjithatë pjesa e dytë foli totalisht për vendasit, që rikthyen baraspeshën me anë të Cavanit në minutën e 48’, ndërsa në të 64-ën ishte sërish sulmuesi uruguaian që dërgoi topin në rrjetë, duke u dhënë avantazhin “djajve të kuq”. Bruno Fernandes me penallti, Paul Pogba dhe Greenwood kompletuan suksesin 6-2 për Manchester United, që prek kështu finalen e Gdanskut, ndërsa trajneri Fonseca ndoqi i dëshpëruar shkërmoqjen e të tijve, pasi nuk kishte më mundësi ndërhyrjesh për të freskuar ekipin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA