Barcelona shpërdoron një mundësi të artë për të marrë kryesimin e renditjes 5 javë nga fundi i kampionatit dhe për t’u afruar me titullin kampion, pasi u mposht në mënyrë të befasishme 1-2 me përmbysje nga Granada në “Camp Nou”.
Ashtu siç pritej, Barcelona mori menjëherë kontrollin e lojës, por e kishte të vështirë të gjente hapësira në mbrojtjen e ngjeshur të miqve, që ishin rreshtuar me forca të shumta mbrapa.
Në minutën e 23-të ishte Antoinne Griezmann që lëshoi një pasim perfekt për Messin në zonë, aty ku ylli argjentinas nuk mund ta falte dhe arriti të shënojë golin e avantazhit për skuadrën katalane. Edhe fillimi i pjesës së dytë ishte i mirë për Barçën, që i shkoi pranë golit të dytë me Griezmann në minutën e 47’ dhe Sergi Roberton në minutën e 53-të, por në të dy rastet goditjet përfunduan jashtë.
Atë që nuk bënë katalanët, ia doli ta bëjë më së miri Darwin Machis në minutën e 63-të, që shfrytëzoi maksimalisht një krosim në zonë dhe lëshoi një goditje perfekte, duke mposhtur portierin dhe rikthyer baraspeshën. Reagimi i Barçës ishte i vakët, përballë Granadës që mbrohej me forca të shumta, ndërsa në minutën e 79, pas një zbritjeje të shpejtë të miqve, ishte Jorge Molina që mposhti për herë të dytë portierin gjerman Andres ter Stegen.
Deri në fund rezultati mbeti i pandryshuar dhe Barcelona humbi një mundësi ideale për të marrë kreun e renditjes në kampionatin spanjoll, ndërsa Granada mban gjallë shpresat për një vend në zonën europiane të renditjes.
Top Channel