Ish sekretar i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, i ftuar ditën e sotme në emisionin “Open” ka komentuar zgjedhjet e 25 prillit dhe humbjen e kryedemokratit Basha.
Ristani shprehet se ‘arbitri’ i këtyre zgjedhjeve është delegacioni i OSBE/ODIHR, duke shtuar më tej se demokratët do të vuajnë 4 vitet e ardhshme me Ramën në qeveri.
Ish sekretari i përgjithshëm i PD-së pranon rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, duke shtuar se ka qenë detyrë e lidershipit të PD-së për të punuar në dy plane të ndara, në një anë të fitonin zgjedhjet dhe në anën tjetër të mbroheshin nga vjedhja e votës.
Ristani: Ka vetëm një të vërtetë, zgjedhjet mbaruan dhe institucioni i ngarkuar me ligj dha rezultatin 74 për PS 56 për PD 4 për LSI 4 dhe PSD 3. Kjo është e vërteta ska ndonjë kontestim në këtë mes, sigurisht që do pritet certifikimi ndërkombëtar. Ajo që unë shoh është se arbitri që kemi për zgjedhjet është delegacioni i OSBE/ODiHR të cilët do të shkruajnë raportin për zgjedhjet, zgjedhjet në totalin e tyre janë të pranuara dhe besoj se do të certifikohen.
Sado biseda të bëjmë tani, shqiptarët dhe demokratët do të vuajnë dhe 4 vjet të tjera me Ramën në qeveri. Pushteti do të fillojë në shtator, do të vazhdojnë të jenë socialistët në pushtet. A e dinim ne që Rama i manipulonte zgjedhjet, sigurisht që po. PD ka bërë deklaratë të fortë se nuk futen në zgjedhje sepse Rama vjedh. A e dinim ne që Rama ka bashkëpunim me krimin, paranë e pisët, këto e shumë të tjera i dinim, megjithatë u vendos që do hyjmë në zgjedhje me Ramën madje të sigurt që Basha do ishte kryeministër i ardhshëm, bëri edhe fushatë pozitive.
Ajo që ka ndodhur është që nga 2013 kemi humbur zgjedhjet, në 2017, 2021 gjithashtu dhe nuk u futëm në zgjedhjet e 2019. Ti e di që po hyn në zgjedhje me një kundërshtar që do të vidhte vota, duhet të kishe përdorur mekanizma. Është detyrë e lidershipit të PD për të punuar në dy plane, për të fituar zgjedhjet dhe të mbrohet nga vjedhja e votës.
Top Channel