Roma do të udhëtojë drejt Anglisë për t’u përballur me “djajtë e kuq” të Manchesterit në gjysmëfinalen e parë të Europa Leagues, ndërsa ish kapiteni e njëkohësisht njëri prej futbollistëve më me eksperiencë, Edin Dzeko provon të karikojë të tijtë.
Në një intervistë të dhënë për kanalet e UEFA-s, sulmuesi boshnjak ka deklaruar se Roma synon t’i shkojë deri në fund këtij kompeticioni dhe të ngrejë lart trofeun, ndonëse pranon se Manchester United është një kundërshtar mjaft i fortë.
“Kur luan në gjysmëfinalet e një kompeticion europian, gjëja e parë që të vjen në mendje është ngritja lart e trofeut. Do të përballemi me një nga kundërshtarët më të fortë të 20 viteve të fundit në Europë, por nuk kemi frikë, pasi çdo gjë është e mundur. Manchester United niset sigurisht si favorit në këtë takim, por ne jemi të karikuar maksimalisht për të bërë mirë në fushë”, u shpreh sulmuesi boshnjak.
Gjatë 5 sezoneve të aktivizimit në kampionatin anglez te Manchester City, Dzeko është përballur shumë herë me Manchester United në derbi dhe pranon se është i emocionuar për këtë rikthim në “Old Trafford” pas 6 vitesh.
“Që kur u largova nga Manchester City, nuk jam rikthyer më në “Old Trafford” dhe ky është një emocion më vete. Do të jetë një sfidë speciale për mua, duke qenë se për shumë vite luaja një nga derbit më të bukur në botë në atë stadium”, tha Dzeko.
Top Channel